Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka bërë të ditur se kanë filluar me konfiskimin e thëngjillit në të gjitha rrugët e kryeqytetit.
Në kuadër të kësaj, tek po raportonte para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë, Matoshi bëri të ditur se së shpejti do të aktivizohet edhe Policia e Gjelbër.
Sipas tij, gjendja e mjedisit për vitin 2017 tregon për një gjendje jo të mirë përkundër përpjekjeve për mbrojtjen e tij.Matoshi, tha se në ndotjen e ajrit ka ndihmuar edhe dhënia falas e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut.
Ka pasur raste që ky thëngjill ka përfunduar me shitje. Po ashtu jemi në plan të konfiskimit të thëngjillit kudo në qytetin e Prishtinës.
Ditëve në vijim do të ketë aksione për konfiskim në rrugët e Prishtinës. Sa i përket ekonomive familjare, nuk kemi mundur të marrim vendim pasi që thëngjilli përdoret edhe në institucione”, tha ministri Matoshi.Ndërsa kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, u shpreh se në prill do të dalin me një raport të detajuar. Ai shtoi se tejkalimet e ndotjes së ajrit kanë filluar para 3 javësh.
Ai tha se problemi shfaqet kur nuk ka erë.“Energjetika është ndotësi më i madh dhe termocentralet mbesin ndotësit më të mëdhenj. Kemi ngritje të oksideve të azotit, që dalin nga ‘auspuhi’ i automjeteve. Shumica e automjeteve janë shumë të vjetra dhe nuk kanë katalizatorë.
Një problem që Agjencia është duke hulumtuar është edhe produkti i ‘peletit’. Është produkt që kontrollohet nga Ministria e Tregtisë, por si duket mund të jetë më i pashëndetshëm se sa thëngjilli”, tha ai.
Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, u shpreh i pakënaqur që deri në muajin prill nuk do të kenë një raport të detajuar.“A e keni shqyrtuar që të bëhet ndërprerja e përdorimit të thëngjillit në banesat kolektive”, parashtroi ai. Pas kësaj, mbledhja e sotme u shty për shkak të seancës së jashtëzakonshme.
Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, shprehi pakënaqësitë e tij pasi që tha se shumë pak u fol për raportin.Pas ndërprerjes ka mbetur që brenda kësaj jave të caktohet dita për vazhdimin e kësaj mbledhjeje.