Policia e Kosovës ka konfirmuar se në Gjilan kanë mbetur të vrarë dy persona.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka deklaruar për Radio Star:
“Ju njoftoj se sot, më datë 10.08.2025, rreth orës 12:32, dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në Gjilan.
Në këtë rast, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e dy personave, ndërsa dy persona të tjerë dyshohet se janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjilan.
I dyshuari për këtë rast është një person i gjinisë mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i njohur për policinë, i cili për momentin ndodhet në arrati.
Në vendngjarje kanë dalë njësitet relevante policore dhe prokurori i shtetit. Njësitet e Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, po hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë.”