Policia e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan, kanë zhvilluar një hetim disa mujorë duke ndërmarr veprime hetimore për mbledhjen e provave dhe dëshmive të nevojshme përfshirë edhe përdorimin e masave të fshehta teknike të hetimit. Si rezultat i këtyre veprimeve është arritur të sigurohen dëshmi dhe prova materiale me dyshime për përfshirje në veprat penale “Fajdeja” dhe ‘’Armëmbajtje pa leje’’ të të dyshuarit B.S. (mashkull kosovar i vitit të lindjes 1959), me banim në komunën e Vitisë.
Me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, sot më datë 24.04.2026 është realizuar kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar ;
•Para të gatshme në vlerë prej pesë mijë (5000) euro,
•Një (1) pistoletë me gas,
•Një (1) pushkë gjuetie (me leje valide)
•Një (1) pistoletë me një karikator dhe katër (4) copë fishekë cal.9X19mm (me leje valide)
•Njëzet e nëntë (29) copë fishekë të pushkës së gjuetisë e kalibrit 12 mm,
•Gjashtëdhjetë e një (61) copë fishekë të pistoletës e kalibrit 9X19 mm.
Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe me aktvendim të prokurorit të lëndës është ndaluar në qendrën e ndalimit në afat prej 48 orësh.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.

