Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se një grua rreth 35 vjeç është vrarë në oborrin e QKUK-së.
Ahmeti për Nacionalen ka thënë se viktima dyshohet se është e moshës rreth 35 vjeçare.
“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka thënë ajo.
Në fund, Ahmeti ka thënë se kanë nisur hetimet për rastin e rëndë.
Ndërkohë, medium “Koha.net”, më herët ka raportuar se viktima dyshohet se është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj.
Nacionale ka mësuar se viktima ishte e shtrirë në repartin Obstetrik dhe është në javën e fundit të shtatëzënisë.
Gazeta Nacionale po qëndron pranë vendit të ngjarjes, prej ku ka mësuar se Gjinekologjia është mbyllur, dhe hyrja emergjente po përdoret vetëm nga stafi mjekësor./Nacionale/