Qeveria i ka cilësuar të gabuara masat e Bashkimit Evropian me qëllim të shtendosjes së situatës në veri. Një deputet i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi tha se vetëm presioni ndërkombëtar mbi Beogradin mund ta çojë situatën drejt zgjidhjes.
“Presioni për Kosovën është i orientuar gabimisht, Kosova nuk po bën asgjë të pazakontë, nuk ka provokuar asnjë shtet, nuk ka pretendime territoriale, nuk është përzier në ndonjë punë të brendshme të ndonjë shteti, thjeshtë po përmbush detyrimet ligjore dhe kushtetuese në territorin e saj. Dmth cka ka këtu për t’u shtuar presion mbi institucionet e Kosovës. Prandaj konsideroj që perëndimi do të duhet të përdor levat që ka dhe mekanizmat institucional mbi Beogradin zyrtar për ta detyruar që ta zbatojë marrëveshjene Brukselit për normalizim të plotë, të qëndrueshëm dhe të mirëfilltë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Rrustemi për RTV21.
Por përfaqësues të opozitës i kanë cilësuar masat e Bashkimit Evropian si pozitive. Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike në opozitë tha se masat e BE-së janë një lloj sugjerimi për dalje nga kriza.
“Tash cfarë po veprojnë kët o institucionet tona, konkretisht kryeministri dhe presidentja janë duke e demtu atë se cfarë e kemi realizu deri tash , janë duke e sjellë në pikëpyetje dhe këtu është rreziku më i mad h i mundshëm. Këto janë pjesë të proceseve që do të duhej qeveria si kryenegociatore t’i ketë parasysh dhe nuk është dashtë farë të vijë te tre pikëshi i Bashkimit Evropian. Është dashur që procesi të zhvillohet aty ka mbetë e të mos bëhen veprime që janë bërë në Ohër ku realisht me marrëveshjen e arritur, qeveria na ka kthy prapa dhe tash po mundohet që përmes veprimeve që po i thellon gjithnjë e me shumë edhe krizën edhe partneritetin e lëkundur me shtetet mike, ka qenë dashtë të ketë kujdes atëherë.”, tha ai.
Por deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, si zgjidhje të vetme të situatës, e sheh shkarkimin e kryeministrit Kurti. Ajo tha konfirmimi i sanksioneve financiare nga BE-ja mund ta përballë Kosovën me një valë të re krize.
“Është dashur që kryeministri i Kosovës të ulet dhe të dakordohet me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian. Ne si LDK për shkak të sanksioneve kemi marrë vendim që nuk do të marrim pjesë as në seanca, as në mbledhje të kryesisë. Gjendja është thjeshtë shqetësuese… sepse është pezullu një marrëveshje e cila, dmth marrëveshja e parë mes Kosovës dhe BE-së, është fjala për MSA-në, mirëpo në atë kohë ne vitin 2016, kjo parti e cila është në pushtet nuk e ka votu MSA-në, dmth është një marrëveshje nga e cila duhet të përmbushen të gjitha reformat për të hyrë më shpejtë në BE. Pastaj janë edhe pezullimi i mjeteve financiare nga IPA. Në vend se të del kryeministri dhe të tregojë që kemi pasur progres ne proceset integruese , ne cdo ditë presim sanksione nga BE.”
Në mesin e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian është pezullimi i punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Po ashtu, është konfirmuar se Kosova ka mbetur jashtë granteve që Bashkimi Evropian për projektet në kuadër të kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor.