Një dokument i shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë ka ngjallur shumë reagime gjatë ditëve të fundit.
Gjithë reagimi nisi pasi në dokument në vend të shënimit “babai” ose “nëna”, shkruhej “prindi 1” dhe “prindi 2”, ku shumë njerëz i dhanë konotacione të ndryshme këtij emërtimi, për çka shkolla ka sqaruar sot se ky dokument është hartuar nga grupe punuese të shkollave gjatë vitit të 2023 dhe është në harmoni me praktikat evropiane për nënshkrim nga dy prindërit. transmeton Zeri.info.
Sqarimi i plotë nga shkolla “Elena Gjika”:
Njoftim për prindërit dhe komunitetin e shkollës
Të nderuar prindër,
Përmes kësaj shkrese, ju njoftojmë se gjatë shpërndarjes së pakos me dokumente të unifikuara për shkolla ka ngjallur reagim publik njëri nga dokumentet e përfshira “Marrëveshje e shkollës me prindërit”.
Kjo draftmarrëveshje është hartuar nga grupe punuese të shkollave gjatë vitit të 2023 dhe është në harmoni me praktikat evropiane për nënshkrim nga dy prindërit.
Është vërejtur se disa prindër e kanë ndërlidhur me procese të tjera, për çka shkolla nuk ka pasur këtë qëllim. Për shkollën është e rëndësishme që dy prindërit të jenë pjesë e shkollimit dhe garantues i bashkëpunimit e ndarjes së përgjegjësisë në të mirë të fëmijëve.
Ne ndajmë keqardhje për çdo shqetësim të mundshëm që kjo situatë mund të ketë shkaktuar.
Me respekt,
Drejtoria e shkollës