Drita FC ka zyrtarizuar ndryshimin e logos së klubit, duke i shtuar stemës simbolin e yllit, si vlerësim për sukseset e arritura në futbollin kosovar.
Ky ndryshim vjen pas fitimit të pesë titujve kampion në elitën e futbollit të Kosovës, një arritje që i jep klubit të drejtën të mbajë yllin mbi stemën e tij, sipas traditës së njohur në futboll.
Klubi nga Gjilani e ka prezantuar identitetin e ri vizual përmes kanaleve zyrtare, duke theksuar se ylli përfaqëson historinë, suksesin dhe përkushtimin e brezave që kanë kontribuar në rrugëtimin e Dritës ndër vite.
Shtimi i yllit në logo simbolizon një kapitull të ri për bardhekaltërit, të cilët në vitet e fundit janë shndërruar në një nga klubet më të suksesshme në futbollin kosovar.
Me logon e re, Drita FC synon të ruajë traditën dhe identitetin e saj, duke reflektuar njëkohësisht ambiciet për suksese të reja në arenën vendore dhe ndërkombëtare.

