Edhe në Gjilan, dje dhe sot, kanë protestuar punëtorët teknik, të sektorit privat, të disa shkollave të mesme të Gjilanit, kryesisht të shkollave të mesme. Atyre iu kanë bashkangjitur edhe punëtorët teknik të sektorit privat të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, e po ashtu edhe përfaqësues sindikal të punëtorëve teknik të disa shkollave periferike.
Këtë e ka bërë me dije për Portalin 2LONLINE.com, Shefik Sopi, kryetar i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat për komunën e Gjilanit, sipas të cilit, punëtorët kanë ndalur punën e tyre për më se një orë duke u grumbulluar brenda kompleksit të shkollave të mesme, për të protestuar në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre të ulët.
Sopi ka thënë se bruto paga jo më pak se 350 euro, është kërkesa qenësore e tyre, ndërkohë që janë edhe kërkesat tjera si zbatimi i Ligjit të punës dhe marrëveshja kolektive, por edhe eliminimi i çfarëdo lloji të diskriminimit të punëtorëve teknik në sektorin privat.
Ai tha se protesta edhe dje edhe sot ka kaluar e qetë, pa pankarta, pa brohoritje, por vetëm duke përçuar mesazhin se kërkesat e tyre janë të drejta dhe legjitime dhe duhet përmbushur.
Sopi ka bërë me dije se institucionet përkatëse të komunës së Gjilanit kanë qenë paraprakisht në dijeni përmes shkresave, për këtë shprehje të pakënaqësisë së punëtorëve teknik të shkollave të mesme të Gjilanit, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se tani e tutje do të priten zhvillimet edhe nga qendra dhe varësisht prej vendimeve që do t’i merr Sindikata e nivelit qendror të sektorit privat, konformë saj do të vepron edhe trupa sindikale e nivelit lokal.