Arben Dubova
Përderisa në qytetet europiane me nivel të lartë të kujdesit për qytetarët e saj është në trend zgjerimi i hapësirave publike për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe ato të gjelbëra duke menjanuar trafikun nga qyteti drejt zonave periferike, në qytetin tonë po ndodhë e kundërta!
E filloi qeverisja e kaluar me zgjerimin e arteries kryesore të qytetit në katër korsi madje duke eliminuar në tërësi trotuaret tek parku i qytetit e po e vazhdon qeverisja aktuale duke ngushtuar trotuaret e zgjeruar rrugët dhe parkingjet për automjete në njërën nga rrugët më të frekuentuar nga këmbësorët respektivisht nxënësit e shkollave të mesme!
Projekti i ngushtimit të trotuarit dhe krijimit të parkingjeve për vetura në rrugën “Adem Jashari” është një tregues se qeverisja në Gjilan nuk brengoset për qytetarët e saj (këmbësorët), por e ka dertin se si t’i bëjë vend veturave në këtë rrugë.
Punimet që po zhvillohen aktualisht janë dëmtim i rëndë i buxhetit dhe ky është veç një projekt koti sepse e ardhmja e shpejtë do të tregojë se sa jofunksional do të jetë ky projekt, andaj shumë shpejt do të duhet të ndërhyhet e të kthehet në gjendjen që ka qenë, madje akoma më tepër duke zgjeruar trotuaret e ngushtuar rrugët.
Një planifikim i mirëfilltë afatgjatë do të duhej që të bëj zgjidhje alternative për vetura duke i larguar ato sa më tepër nga qyteti e jo të ndodhë e kundërta!
Qyteti duhet t’i kthehet qytetarëve e assesi ai nuk bën të jetë në shërbim të veturave siç po ndodh aktualisht!
Është e habitshme se si nuk ka reagim qytetar e shtrohet pyetja ku është shoqëria civile në Gjilan?!
Në rrethana normale në një vend demokratik ky projekt do të duhej të pengohej me çdo formë të reagimit qytetar, duke mos përjashtuar edhe protestat!
Meqenëse në qytetin tonë nuk ka organizata që merren me këto problematika e që janë të shumta, neve nuk na mbetet rrugë tjetër përveç që të shprehim mllefin dhe kundërshtimin tonë nëpërmjet këtyre formave duke bërë thirrje “Mos na ngushtoni hapësirën publike”!
Uroj që dikush nga pushteti ta lexojë këtë reagim dhe të reflektojë!