Gjendja në të cilën kanë mbetur tash disa ditë nyjat sanitare në Shkollën Teknike në Gjilan është e tmerrshme.
Punëtorët teknikë të disa shkollave në Komunën e Gjilanit, nuk kanë marrë pagë që nga fillimi i 2019-s, për çka ata kanë mbajtur grevë 1 javore.
Pagesa e tyre nuk është bërë, sepse kompanisë, e cila ka qenë mbikëqyrëse e tyre, i ka skaduar kontrata.
Ata tregojnë se grevën e kanë pezulluar, sepse zyrtarë të komunës u kanë thënë se është arritur marrëveshje me një kompani tjetër.
Por, ata paralajmërojnë riaktivizim të grevës dhe protesta, në rast se deri javën tjetër nuk i marrin pagat e tyre.
Zyrtarë udhëheqës të Shkollës Teknike “Mehmet Isaj”, nuk kanë dashur të flasin para kamerës, madje drejtoresha e shkollës, Lumnije Tahiri, e ka penguar intervistën me sekretarin e kësaj shkolle, duke mos lejuar atë që të prononcohet.
Ndërkaq, zyrtarë të Komunës së Gjilanit thonë se fajtorë për këtë janë vonesat në OSHP, porse tashmë gjithçka është finalizuar.
Përveç Shkollës Teknike dhe asaj të Bujqësisë në Gjilan, grevë për 1 javë kanë mbajtur edhe punëtorët teknikë në Shkollën Ekonomike “Marin Barleti “, si dhe në gjimnazin natyror “Xhavit Ahmeti”.