Gjatë ditës së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të mos certifikojë listën zgjedhore të LVV-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, raporton Zeri.info.
Arsyeja e këtij vendimi ka qenë moszëvendësimi i kandidatëve për deputetë të cilët kanë probleme me ligjin.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i partive të pacertifikuara, madje LVV-ja deklaroi se do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ndërkaq, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku tha për “Zërin” se asnjë parti ende nuk ka parashtuar ankesë ndaj vendimit të KQZ-së. “Ndoshta kanë paralajmëruar ankesa, por dërguar nuk kanë asnjë deri më tani”, ka thënë Desku për “Zërin”.
KQZ-ja në mbledhjen e djeshme ka shqyrtuar veç e veç listat e kandidatëve të subjekteve politike.
Tashmë këto subjekte që janë me lista të pacertifikuara kanë 24 orë kohë për të ankimuar vendimin e KQZ në PZAP nga momenti i vendimit.