Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë vendimin e MASHTI-it për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.
Ai në Facebook shkruan se ndërtimi i kauzës politike dhe qëndrueshmëria në politikë nuk mund të bëhet mbi kurrizin e fëmijëve
“As ndërtimi i kauzës politike e as qëndrueshmëria në politikë nuk mund të bëhet mbi kurrizin e të tjerëve, aq më pak mbi fëmijët. Duhet ta kemi të qartë se në politikë përfaqësohen interesa të qytetarëve dhe asnjëherë imazhe politike personale” ka shkruar Rahimaj.
Për iniciativën për reforma në arsim, Rahimaj ka thënë se komuna e Kamenicës është përballur me dëme të pariparueshme tek fëmijët në sistemin arsimor komunal.
“Komuna e Kamenicës është përballur me një iniciativë të pamenduar mirë, që nuk ka përfaqësuar vullnetin e qytetarëve dhe ka prodhuar dëme të pa-riparueshme te fëmijët dhe në tërë sistemin arsimor komunal”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për vendimin që kishte marrë ministrja Arbërie Nagvci.
“Vendimi nuk kishte asnjë interferim të brendshëm mbi organizimin e sistemit arsimor komunal. Përveç se kishte ofruar mësim alternativ ose të përshpejtuar për humbjet e mëdha që kishin pësuar 441 nxënës”.