Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më mirë në raport me të huajt.
Këtë deklaratë Rama e bëri në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, Shqipërisë dhe Kosovës e cila është mbajtur sot për nderë të 110- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, shkruan teve1.info.
Në fjalën e tij para deputetëve, Rama tha se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë më herët dhe se Kosova nuk do të pres aq gjatë siç ka prit që nga shpallja e pavarësisë.
“Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. Unë besoj se njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë dhe se Kosova nuk do të pres kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë për tu njohur përfundimisht ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të gjithë organizimit të përgjithshëm të botës ku ne jetojmë”, tha ai.
Tutje kryeministri Shqiptar tha se marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë më të shkëlqyerat sepse janë dy vende të ndara me shtete por të bashkuara me zemër.
“Marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë më të shkëlqyera thjeshtë sepse jemi dy vende të ndara me dy shtete por të bashkuara me një zemër por janë edhe produktive më shumë se që kanë qenë ndonjëherë tjetër dhe këtë e tregojnë faktet e prodhuara, jo thjeshtë mbledhjet e përbashkëta të përvitshme mes dy qeverive pro nga vullneti dhe nga rritja e aftësisë jo thjeshtë për ta kuptuar në parim por edhe për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok”, shtoi ai.
Tutje Rama foli për marrëveshjet e lidhura mes Kosovës dhe Shqipërisë duke njoftuar se në gjashtë mujorin e dytë të viti 2023 do të përfundojnë punimet për portin e përbashkët të Durrësit.
“Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare apo lirinë e lëvizjes që deri dje është dukur mision i pamundur apo abetaren e përbashkët, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik shqiptar dhe për historinë e shqiptarëve apo bashkëpunimin e përditshëm në fushën e energjisë. Nëse gjithçka do të shkojë sipas planit në fillim të gjashtë mujorit të dytë të vitit të ardhshëm ne do të jemi në kantier me portin e ri të Porto Romanes që do të jetë një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe në Strugë dhe dy porte të thata që do të lidhen me hekurudhë”, tha Rama./Teve1.info/