Jo, Blerim, jo!
Lufta e popullit shqiptar të Kosovës për liri është sakrificë që nuk personalizohet! Roli i UÇK-së nuk mund të ndahet nga kjo sakrificë, po aq sa s’mund të ndahet as udhëtimi plot vuajtje i këtij populli për liri e për pavarësi nga lidershipi dhe vizioni i Ibrahim Rugovës!
Pa Rugovën, çështja e Kosovës nuk do të kishte arritë të njihej siç duhej e të përkrahej sa duhej nga kryeqendrat e botës demokratike, e veçanërisht nga Washingtoni! Pa këtë njohje e përkrahje paraprake, lufta jonë do kishte përfunduar ndryshe — kjo dihet botërisht.
Mohimi i Rugovës e rolit të tij në periudhën më delikate të shpërbërjes së Jugosllavisë e rënjes së komunizmit dhe nënës së kësaj ideologjie famëkeqe (sidomos për shqiptarët) – Bashkimit Sovjetik – është mohim i rrënjëve të lirisë e pavarësisë së Republikës sonë.
Por, mirë që historia jonë nuk shkruhet e as mësohet nga studiot televizive ku secili mund të përdhosë lirinë e shprehjes! Republika jonë në themelet e veta mbanë vizionin e Rugovës, gjakun e bijave e bijëve më të mira të kombit që simbolizohen nga figura e pashoq e Adem Jasharit, dhe sakrificën e vuajtjen e pashembulltë të popullit tonë. E, ndërtimi tutje i kësaj Republike do vazhdojë bashkë me ata që na ndihmuan me ia vendosë themelet, me ata që qysh më 1986 bënin rezoluta kongresionale për shqiptarët e Kosovës!