Të nderuar qytetarë të Gjilanit,
Seanca e sotme e Kuvendit Komunal ishte një nga momentet më të rënda për demokracinë tonë lokale dhe dinjitetin institucional. Ajo që ndodhi sot nuk ishte debat politik, por një tentativë e pastër, primitive dhe e dështuar për frikësim, shantazh dhe bllokim të punës institucionale.
Sjellja e asamblistëve të PDK-së, saktësisht e Riad Rashiti U.D Kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzadi, shef i grupit të asambleistëve dhe Burhan Isufi, asambleist, të cilët rrethuan tavolinën time të punës duke ushtruar presion të papranueshëm fizik dhe psikologjik, nuk përfaqëson qytetarinë e Gjilanit.
Kur deklarova në seancë se “pesë burra po më rrinë mbi kokë”, nuk e thashë nga frika, por për të shpërfaqur publikisht mendësinë e tyre patriarkale dhe arrogante. Asnjë burrë, asnjë grup dhe asnjë subjekt politik nuk mund të më thyejë apo të më imponohet në ushtrimin e detyrës sime legjitime.
Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se asnjë lloj presioni nuk do të më zmbrapsë asnjë milimetër nga ushtrimi i detyrës sime kushtetuese dhe ligjore. Uzurpimi i institucionit dhe bllokimi i proceseve nga ana e PDK-së nuk do të tolerohen në asnjë formë dhe nga askush. Kuvendi është vendi i argumenteve dhe i qytetarisë, jo i forcës fizike, i muskujve apo i sjelljeve kërcënuese që i takojnë të kaluarës.
Në fund, dua t’ju falënderoj nga zemra të gjithëve që më keni shkruar dhe më keni ofruar mbështetje të jashtëzakonshme sot, pas atyre pamjeve të shëmtuara që u panë në media. Mesazhet tuaja janë forca ime. Kuvendi Komunal u takon qytetarëve, jo atyre që dëshirojnë ta marrin peng atë përmes tensioneve. Unë do të vazhdoj të udhëheq me dinjitet të plotë, integritet të lartë dhe respekt absolut për ligjin!

