LRFGJ – Një vit i suksesshëm për futbollin e të rinjve
Lidhja Rajonale e Futbollit e Gjilanit ka përmbyllur një vit shumë të suksesshëm, duke organizuar garat në katër kategori të grupmoshave: U11, U13, U15 dhe U17.
Kampionatet në të gjitha këto kategori janë zhvilluar dhe përfunduar me sukses, falë angazhimit të klubeve, trajnerëve, lojtarëve dhe zyrtarëve të garave.
Një risi e rëndësishme gjatë këtij viti ishte zhvillimi i garave në kategorinë U13 me format të ri, në fusha adekuate dhe me porta standarde, pa mbajtjen e rezultateve zyrtare.
Ky model ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin teknik dhe edukativ të futbollistëve të rinj, duke vendosur fokusin tek mësimi dhe përparimi i tyre.
Pas përfundimit të kampionateve rajonale, ekipet kampione përfaqësuan me dinjitet regjionin tonë në garat e play-off-it.
Shkolla e Futbollit Drita, në kategorinë U15, arriti deri në finale, duke shënuar një sukses të madh. Ndërsa Shkolla e Futbollit Kosova-V, në kategorinë U17, arriti deri në fazën e dytë të play-off-it, rezultat që gjithashtu vlerësohet si një arritje e rëndësishme.
Gjatë këtij viti janë organizuar edhe grumbullime për grupmoshën 2011, ku dy futbollistë nga regjioni ynë janë përzgjedhur nga trajneri Rainer Kraft për të vazhduar punën intensive në Kampin Nacional në Hajvali.
Një tjetër sukses i veçantë është përzgjedhja, për herë të parë, e katër futbollistëve nga regjioni i Gjilanit në Përfaqësuesen e Kosovës U15, duke dëshmuar cilësinë dhe potencialin e madh të futbollistëve tanë.
Po ashtu, gjatë këtij viti janë certifikuar 17 gjyqtarë të rinj, një hap i rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në regjionin tonë.
Duke parë rritjen e vazhdueshme të futbollit të të rinjve në regjion, në edicionin garues 2026/27 pritet që garave të kadetëve t’u bashkohen edhe tri klube të reja nga shkollat tona të futbollit, gjë që do të rrisë konkurrencën dhe do të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin e futbollistëve të rinj.
Në fund, një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë sukses: klubet, trajnerët, lojtarët, gjyqtarët, delegatët, mjekët sportivë, prindërit, sponsorët dhe të gjithë dashamirët e futbollit, të cilët me përkushtimin dhe angazhimin e tyre bënë të mundur realizimin e një viti të suksesshëm për futbollin e regjionit të Gjilanit.
Së bashku kemi arritur shumë, ndërsa së bashku do të synojmë suksese edhe më të mëdha në të ardhmen. ⚽🏆👏

