Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Gjilan ka reaguar fuqishëm ndaj asaj që e quajnë një “krim të pastër” me devijimin e plotë të projektit të rrugës “Adem Jashari” nga Komuna e Gjilanit. Sipas PDK-së, Komuna po heq dorë nga të gjitha investimet e projektuara dhe të kontraktuara për ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore, duke ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshme në këtë projekt.
Gjithashtu, PDK denoncon ndryshimin e projektit të kontraktuar, ku në vend të kubëzave të betonit me kosto prej 1 euro/m², po kryhet asfaltimi i trotuarit me një çmim prej 10 euro/m², një ndryshim që sipas tyre është bërë nën presionin e drejtorit të shërbimeve publike dhe me miratimin e kryetarit të komunës.
PDK thekson se menaxheri i projektit nuk ka të drejtë ligjore të ndryshojë projektin pa miratimin paraprak të hartuesit të tij dhe cilëson këtë veprim si një vepër penale. Në këtë kontekst, PDK bën thirrje urgjente për ndërhyrjen e organeve kompetente për të hetuar këtë rast dhe për të marrë masa ligjore ndaj menaxherit dhe të gjithë përgjegjësve.
Partia gjithashtu paralajmëron se çdo heshtje nga hetuesia do të interpretohet si bashkëpjesëmarrje në këtë “katrahurë” dhe keqpërdorim të fondeve publike nga drejtuesit komunalë në Gjilan.
Komunikata e plotë:
Krim me tenderin e rrugës “Adem Jashari” në Gjilan
Komuna e Gjilanit po vazhdon me devijimin e plotë të rrugës “Adem Jashari”, duke eliminuar të gjitha investimet e projektuara dhe të kontraktuara me operatorin ekonomik për ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore.
Pastaj është bërë ngushtimin e trotuareve për të krijuar hapësirë të parkingjeve për autoshkollën “Kushtrimi” pronë e drejtorit të shërbimeve publike Kushtrim Ibrahimi.
Sot ka filluar asfaltimi i trotuarit duke e ndryshuar projektin e kontraktuar sipas tenderit, ku në paramasë janë paraparë kubëza betoni me 1 euro m/2. Por mbikqyrësi i projektit ka kërkuar që të asfaltohet me çmim prej 10 euro m/2. (Shih paramasën). Të gjitha këto po ndodhin nga presioni i drejtorit të shërbimeve publike dhe me miratimin e kryetarit të komunës.
Menaxheri i projektit, respektivisht organi mbikëqyrës nuk ka asnjë të drejtë ligjore që të ndryshojë projektin pa aprovimin paraprak nga hartuesi i projektit. Cdo ndërhyrje e kësaj forme është vepër penale dhe ftojmë organet kompetente që menjëherë të marrin masa ligjore ndaj menaxherit të projektit.
I kërkojmë publikisht hetuesisë që të merret urgjentisht me këtë masakër të këtij projekti, i cili ka devijuar 100% prej asaj që është projektuar, tenderuar, kontraktuar dhe prej kësaj që po ndodhë në teren.
Përndryshe heshtja e këtij rasti nga hetuesia, nënkupton bashkëpjesëmarrjen e tyre në këtë katrahurë dhe në këto keqpërdorime që po ndodhin nga drejtori i shërbimeve publike dhe kryetarit të Gjilanit.