Në konferencën e sotme për media të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan, përveç kryetarit, Nevzad Isufi, ka folur edhe këshilltarja komunale nga ky subjekt Arjeta Rexhepi. Ajo ka paraqitur si problem ndërtimin e paautorizuar të parkingut ilegal, në oborrin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Zhegër.
“Këto parkingje në skaj të QMF-së do të shkaktojnë rrezik për këmbësorë sepse veturat do të kalojnë nëpër trotuar për t’u parkuar. Kemi gjetur një varg shkeljesh ligjore të cilat janë edhe vepra penale të rënda si: tejkalimi i kompetencave, krijim i paautorizuar i pronës publike, cenim i pronës publike, prerje e drunjve dhe pishave pa autorizim, në këtë rast, shkaktim i rrezikut për këmbësorë, gërryerja e dheut dhe degradim i ambientit të hapësirës vepruese të QMF-së dhe dëmtim i trotuarit”, ka theksuar Rexhepi.
Këshilltarja Arjeta Rexhepi tutje ka vijuar se për këtë rast banorët e fshatit Zhegër kanë bërë ankesë, duke kërkuar që gjendja të kthehet në gjendje të mëparshme.
Ajo ka shtuar se përkohësisht u ndërprenë punimet në këtë pjesë por që nga atëherë nuk është ndërmarrë asgjë.
Po ashtu Rexhepi ka thënë se edhe në seancën e fundit të kuvendit komunal si pikë e rendit të ditës nga LDK është propozuar që të ndryshohet rregullorja për këshillat e fshatrave dhe lagjeve.
Sipas kuvendares Rexhepi, siç përfundon mandati i një anëtari të kuvendit përfundon edhe mandati i Këshillit të fshatrave dhe udhëheqjes së tij.
Prandaj, ajo uron që në zgjedhjet e reja të ketë vërtetë kryetar të Këshillave për fshatra dhe lagje që e meritojnë dhe jo militant të LDK-së.