Sapo e pashë që edhe Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Naser Korça në një konferencë për shtyp paska folur për kërkesën që i ka bërë kompanisë që është duke kryer punimet në zgjerimin e rrugës Ferizaj-Gjilan, për përfundimin e njërës pjesë të rrugës deri në hyrje të qytetit dhe pezullimin e punimeve të zgjerimit të rrugës tutje në qytet, për një afat të shkurtër, prej 1 korrik deri më 15 gusht kur edhe do të jetë fluksi më i madh i mërgimtarëve, duke iu bashkëngjitur kështu idesë dhe propozimit tim të para pak ditëve të cilin e kam paraqitur në Kuvendin Komunal, si kërkesë ndaj qeverisjes lokale.
E përshëndes dhe e mbështes këtë angazhim edhe të qeverisjes komunale në këtë drejtim, por edhe çdo vendim tjetër që do të jetë në interes qytetarit.
Qasja jonë aktive dhe konstruktive, si në këtë rast, është një tregues se për PDK-në në Gjilan, fjala apo pozicioni opozitë nuk do të thotë asnjëherë kundërshtim apo bllokim, por kritikë, kontribut dhe përkrahje.
Riza Abdyli shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Gjilan