Publicisti dhe gazetari, Enver Robelli, ka bërë një kritikë të ashpër ndaj qeverisë Kurti, duke renditur një sërë dështimesh. Robelli akuzoi ekzekutivin për mungesën e rezultateve konkrete në fusha kyçe si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, politika e jashtme dhe zhvillimi ekonomik.
Argumenti kryesor i Robellit është se paaftësia e qeverisë për të përkthyer premtimet e mëdha në rezultate konkrete reflekton mungesë të udhëheqjes efektive, me përgjegjësinë që, sipas tij, bie mbi kryeministrin Albin Kurti.
Ai kritikoi veçanërisht njoftimin e fundit të Kurtit për themelin e një “industrie ushtarake”, duke e cilësuar si thjesht një lajm pompoz. Sipas Robellit, vendimi vetëm krijon një komision ndërministror për të vlerësuar procedurat dhe negociatat – larg nga hapi transformues që është paraqitur.
Duke bërë një krahasim me premtime të tjera të pambajtura në të kaluarën, Robelli përmendi projektin për qendrën e skijimit në Brezovicë, i cili dikur u trumbetua si “qendra më e madhe e skijimit në Europën Juglindore”, por ende nuk është realizuar.
Opinioni i plotë i Robellit:
Kjo qeveri e Kosovës nuk ka rezultate të prekshme në disa fusha: infrastrukturë, arsim, shëndetësi, politikë të jashtme dhe zhvillim ekonomik që rrit mirëqenien e qytetarëve. Përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi shefin e qeverisë. Dështimet tani – në prag të zgjedhjeve – nuk mund të mbulohen me lajme pompoze se po hidhen themelet e “industrisë ushtarake”. Në të vërtetë ishte vendosur të krijohet një komision ndërministror për vlerësimin e procedurave, negociatave… I ngjan atij premtimit të para disa viteve kur Brezovica do të bëhej qendra më e madhe e skijimit në Europën Juglindore.
Para se të bëhen hapa të tillë kinse kolosalë në “industrinë ushtarake”, do të ishte mirë të ndërtohej ajo ura e famshme te liqeni i Badovcit. Ky është një nga 1001 shembujt ku mes premtimit dhe realizimit qëndron i hapur një hendek i madh. Dhe hendeku nuk mbyllet nëse shefi i qeverisë nuk i sheh të metat dhe nuk i tërheq konsekuencat. Një nga këto konsekuenca do të ishte menaxhimi i ekipit qeverisës dhe rifreskimi i tij. Kjo është dashur të ndodhë qëmoti. Në politikë (sidomos), kryeneçësia që shitet si parimësi është ves, jo virtyt.