Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se me ministren e Arsimit, Hykmete Bajramin, po shqyrtojnë nëse duhet të marrin masa parandaluese në institucionet e arsimit për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Hoti përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të shqyrtojnë masat që do të merren për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.
Sipas Hotit, masat parandaluese do të merren në institucionet arsimore.
“Ne kordinim me Ministren e Arsimit, po shqyrtojmë nëse duhet ndërmarrë masa tjera parandaluese në institucione arsimore kundër COVID 19. Çdo masë do të koordinohet me autoritetet shëndetësore. Ne mbledhje të Qeverisë do të diskutojmë për ketë çështje dhe do të ndërmarrim masat e nevojshme”, ka shkruar Hoti.
Në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar të prekur me koronavirus, ndërsa sot pritet të dalin rezultatet e dy vajzave, që po dyshohet se janë të infektuara.
Në Shqipëri ndërkaq dje janë shënuar dy rastet e para të prekura me koronavirus. Njëri nga të prekurit kishte ardhur nga Italia, e nga ai dyshohet se është infektuar edhe babai i tij.
Italia është shteti evropian që ka më së shumti raste të prekura nga epidemia e virusit që origjinën e ka në Kinë. Në Itali deri dje janë regjistruar 7 mijë raste të prekura, ndërsa kanë vdekur 366 persona. /Express/