Pas një shërbimi shumëvjeçar, Sadri Arifi sot doli në pension nga detyra e tij si Sekretar i Kuvendit Komunal të Gjilanit.
“Me z. Arifi kam bashkëpunuar në shumë procese dhe gjithmonë ka treguar profesionalizëm dhe këmbëngulje në ruajtjen e ligjshmërisë së Asamblesë sonë. Arifit i urojmë një pension të shëndetshëm dhe të qetë”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu.
Edhe Bujar Nevzati, anëtar i KK-së së Gjilanit, njëherësh shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së e ka uruar z. Arifi për pensionimin.
“Sot, pas një pune shumëvjeçare me ndjenja të përziera respekti dhe mirënjohjeje, përcollëm në pension një njeri të veçantë z. Sadri Arifi, Sekretarin e Kuvendit Komunal, mikun dhe bashkëpunëtorin tim të çmuar”, ka thënë Nevzati.
Ai shtoi se gjatë gjithë viteve të punës së tij, z. Arifi u tregua shembull i përkushtimit, korrektësisë dhe profesionalizmit. Me fjalë të urta, me qasje të matur dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, ai e ka lënë gjurmën e tij jo vetëm në institucionin e Komunës, por edhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e të punojnë me të.
“Për mua personalisht, ai ka qenë më shumë se koleg ka qenë mik i vërtetë, këshilltar dhe bashkudhëtar në punë të përditshme. Në emrin tim dhe të gjithë kolegëve, i uroj z. Sadri Arifit shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe ditë të mbushura me gëzim pranë familjes e të afërmve. Puna e tij do të kujtohet gjithmonë me respekt”, ka thënë Bujar Nevzati.