Ende është e paqartë, është ftuar apo s’është ftuar Mirlind Daku të luaj për Kosovën?!
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes dje publikoi listën e lojtarëve për ndeshjet e muajit mars.
Në këtë listë mungon emri i Mirlind Dakut, lojtarit të Ballkanit që ka shënuar plotë 25 gola në kampionat.
Në media u tha se pas presionit, Challandes pritet që ta ftoj lojtarin – por i të njëjtit mendim s’është asistenti i tij, Muharrem Sahiti.
Gjatë një interviste në ATV, Sahiti tha se Daku nuk është ftuar dhe s’do të luaj me Kosovën në këtë muaj.
“Daku nuk është i ftuar për mars. Nuk i kuptoj disa gazetarë dhe disa portale se si publikojnë lajme të pavërteta, pa i konfirmuar ato. Ky nuk është profesionalizëm. Kur bëhet seleksionimi i lojtarëve, merret parasysh edhe niveli i ligës ku luan futbollisti. Daku në të ardhmen do të jetë pjesë e Kosovës, por në mars nuk është i ftuar”, ka thënë Muharrem Sahiti.
Kujtojmë që në sulm, Challandesi ka ftuar vetëm dy lojtarë: Atdhe Nuhiu dhe Vedat Muriqi.