Ndaj ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Kështu njoftoi kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj.
Kjo pasi ministri Murati vendosi që të mos ua ekzekutojë pagat punëtorëve që janë në grevë.
“Ne nuk do të ndalemi. Do t’i drejtohemi instancave më të larta për të kërkuar të drejtat tona”, tha Jasharaj në konferenfcë për media.
Sipas kreut të SBASHK-ut, kjo sindikatë ka përgatit dhe e ka dërguar në prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit.
“Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”, tha Jasharaj.
Ai më tej u kërkoi mësimdhënësve që të mos dorëzohen përballë Qeverisë, ndërsa tha se do t’i luten Zotit që Qeveria të dialogojë me ta.
Jasharaj tha se greva përfundon kur “Qeveria t’i zgjidh kërkesat” e tyre.
“Greva ka me përfundua, por dikush në fund ka me u turpërua”, tha Jasharaj. “E ai që do të turpërohet është Hekuran Murati”./rtklive/