Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ish-ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Rudolf Scharping, i cili ka shërbyer në këtë pozitë gjatë periudhës 1998–2002.
Kryeministri Kurti e falënderoi Scharping për rolin e tij jetik dhe kontributin e çmuar në bashkërendimin e veprimeve politike e ushtarake të Gjermanisë me aleatët e NATO-s gjatë ndërhyrjes së vitit 1999, duke theksuar se ai i qëndroi pranë popullit të Kosovës në kohët më të vështira.
“Denoncimi i planit ‘Patkoi’, sikurse vrasjeve, masakrave, spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë, krahas këmbëngulësisë në argumentimin për ndërhyrjen e NATO-s, janë qëndrime që ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, e vendosin në anën e drejtë të historisë përgjithmonë”, u shpreh Kurti.
Në takimi u veçua gjithashtu libri i tij me kujtime, “Wir dürfen nicht wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa”, ku Scharping dokumenton vuajtjet e popullit shqiptar dhe krimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.










