Kancelari gjerman Olaf Scholz në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në takim është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës, dialogun me Serbinë, liberalizimin e vizave, si dhe pozicionimin e Kosovës karshi luftës në Ukrainë.
Kancelari gjerman tha se Gjermania po angazhohet që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, ngaqë siç tha Scholz kushtet janë përmbushur.
“E kam thënë ne angazhohemi që liberalizimi të vijë sa më shpejt pasi kushtet janë plotësuar dhe me këtë flasim me të gjithë partnerët dhe miqtë në Evropë në mënyrë që dyert të hapen”, u shpreh Scholz.
Scholz tha se është shumë e rëndësishme për Kosovën që të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja.
Sipas kancelarit gjerman dialogu është vendi që i hapë Kosovës rrugën drejt perspektivës evropiane.
Ai tha se Serbia duhet ta njohë Kosovën sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra tjetrën të jenë në BE.
“Gëzohem që po vizitoj Kosovën si vendin e parë në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave si dhe për pozicionimin e Kosovës karshi luftës në Ukrainë. Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të shkojë përpara. Lajçak e ka mbështetjen tonë të plotë. Dialogu është vendi që i hapë Kosovës rrugën drejt perspektivës evropiane. Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende që se njohin njëri tjetrin të jenë në BE.
Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania me të gjitha mundësitë që ka do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkangjitur BE-së në kohën e duhur. Ne e kemi bërë këtë prioritet. Por ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, është e rëndësishme të punojnë edhe pjesëmarrësit në këtë proces”, u shpreh Scholz.