Punimet do të mbahen të shtunën dhe të dielen në Gjenevë të Zvicrës Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se ka aplikuar për anëtarësim në Komitetin e Përhershëm të Mjekëve Evropian, por po pengohet nga autoritetet e Serbisë. Sipas OMK, punimet e Asamblesë së Komitetin e Përhershëm të Mjekëve Evropian (CPME), do të mbahen nesër dhe pasnesër në Gjenevë të Zvicrës, ku OMK-ja do të përfaqësohet nga kryetari dhe nënkryetari i saj.
OMK thotë se ka përmbushur të gjitha kriteret e parapara për anëtarësim në CPME, por Oda e Mjekëve të Serbisë në koordinim me Qeverinë e Serbisë, është duke u përpjekur që të pamundësojë anëtarësimin e OMK-së në CPME. “Oda e Mjekëve të Serbisë më 7 nëntor të këtij viti i është drejtuar përfaqësuesve të lartë të CPME-së dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare në CPME, me kërkesën që shqyrtimi i aplikacionit të OMK-së të mos shqyrtohet fare në këtë fazë të dialogut, pra të shqyrtohet pas zgjedhjes përfundimtare të problemeve në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Odës së Mjekëve të Kosovës.