Shkruan: Avni Rudaku
Po të kishim hapësirë të mjaftueshme dhe buxhet, do të doja shumë sheshe a bulevarde. Çdo hapësirë e gjerë, e lirë, fushëpamje që t’i kënaqë sytë, mundëson shëtitje të sigurt, ecje, argëtim për fëmijë e familje, ecje për këmbësorë, pushim për më të moshuarit.
Gjilani nuk ka pasur park të qytetit, por një bahçe, ku të moshuarit kanë pasur disa tavolina betoni e ulëse duke luajtur tëkërxhik. Nuk ishte park, ku mund të shëtitesh majtas, djathtas, të ulesh e luash me fëmijët në sipërfaqe të gjelbër, të uleshit mbi një shtrojë me familjarë a miq të luanit me kitarë a çifteli. Bahçe e vogël, vetëm një shteg ecjeje për kalimtarët e rastit. Bahçe të tilla duhet të kenë krejt komplekset e reja banesore.
Gjilani nuk ka pasur park, por një bahçe, fare pak e shfrytëzuar e me disa drunj të gjatë e shumë të bukur. Kur u prenë, krijoi mllef e mërzi të vetëkuptueshme.
Bulevardi i ri po bëhet pa mbaruar sheshi me ndërprerje dhe më i gjati në Kosovë, nga Dardania 1 deri te Livadhet e Arapit. Ende nuk ka përfunduar. Qeverisja lokale është e papërgjegjshme. Pavarësisht kush e nisi, duhej të përfundonte dhe të mirëmbahet vazhdimisht. Duhet të hiqen krejt pengesat e strukturat e mbivendosura. Duhen të hiqen vazot e gjera të betonit e të pashfrytëzueshme. Duhet të ketë rregulla strikte për lodra fëmijësh, karrige lokalesh, trotinetë, biçikleta e shitës ambulantë.
Bulevardi i ri me parkingun nëntokësor, i jep pamje urbane Gjilanit. Komunat e Malishevës, Vitisë, Podujevës etj., aktualisht kanë pamje më të bukur e më të zhvilluar në qendër sesa Gjilani. Parkingu e modernizon. Bulevardi e çel, i jep frymëmarrje të lirë. Por se si janë kryer punimet infrastrukturore deri më sot, nuk japin shumë shpresë. Duhet përzgjedhje e drunjve që rriten më shpejt, e do dosido.
Vetëm shihni asfaltimin e trotuarit, pavarësisht se është i rrafshët për ecje e karroce fëmijësh, është ekocid. E vran gjelbërimin, fidanet dhe nuk krijon hije.
Vetëm shihni sa e shëmtuar, sa kaotike, është krejt rruga qarkore. Imagjinoni për një çast rregullimin e trotuarit në krejt rrugën qarkore, me drunj si në rrugën mbi ish-Pirevën, sa bukur do të dukej, sa funksionale për ecje këmbësorësh dhe sa hije e pastrim i ajrit do të bëhej.
Qeverisja lokale i bën punimet shkel e shko. Ndërtohet rruga, prehet sërish asfalti, se janë harruar gypat. Bëhen rrugë, pa kanale që ndajnë ujërat atmosferikë. Imagjinoni një parking nëntokësor, ku mbulohet nga reshjet e shiut, sepse kompanitë janë joprofesionale, arkitektët e inxhinierët amatorë e mbikëqyrje e pranim punimesh dosido nga organet komunale.
Bulevardi i ri do të duhej të ndërtohet, me rreptësi estetike, arkitektonike, inxhinierike dhe ekologjike. Do të duhej të niste pas finalizimit të sheshit ekzitues.
Kryetari i Komunës, pavarësisht moshës së re, nuk ka mentalitet të ri qeverisës. I dobët në vizion e qeverisje. Me ekip pa përgatitje adekuate profesionale. Nuk detyron kompanitë të kenë ndjeshmëri ekologjike. Nuk detyron plane të mirëfillta rrugore. E nisi Stanishorkën, i shkuli pemët disavjeçare dhe e betonizoi krejt hapësirën. Nuk ka shije as për përzgjedhjen e llojit të drurit. Në vitet e ’70-ta, në Kamenicë, më tregoi një arkitekt se janë kërkuar për mbjellje lloje të pemëve ku nuk rrinë sorrat. Merreni me mend çfarë detaji! Ama sheshi i Kamenicës është shumë i bukur.
Vetëm shihni trotuarin me asfaltim pa drunj, heqjen me rrënjë të drunjve disavjeçare pranë kazermës së FSK-së, në bahçen (parkun) e qytetit, parkun e betonizuar e të ri tek ish-Posta e Vogël, e shihni sa qeverisje amatore. Kina e lëvizi një shkollë me rrota, ndërsa kjo qeverisje lokale nuk i merr ato pemë e t’i provojë diku tjetër. Ose të punohet me to, duke iu përshtatur drunjve, por jo, zgjedhin rrugën më të lehtë: heqjen me rrënjë.
Gjilani po vuan nga mungesa e drunjve, edhe aty ku janë kanë fare pak cilësi dhe ka mungesë gjelbërimi në pjesën më të madhe. Nuk mund të ecësh në këmbë, se nuk ka hije.
Gjilani duhet të bëhet si te rruga me drunj fantastikë mbi Rrugën e Prishtinës. Është model si duhet të duket me drunj.
Gjilani nuk e ka zgjidhur problemin e ujërave atmosferikë. Një rrebesh shiu, ta pamundëson ecjen dhe daljen edhe me makinë.
Gjilani duhet të bëhet me bulevard. Me mbikëqyrje të rreptë. Deri më sot, punimet janë jofunksionale, të shëmtuara, me ikxhinieri amatore, ku të zë këmba duke ecur dhe pa hije. Vetëm shihni si shtrohen pllakat, pa nivelizim, shafojnë, çmontohen. Diku prishet asfalti, ia fusin do kocka dhe e shëmtojnë.
Gjilani duhet të bëhet. Ende nuk është bërë!

