Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka dhënë afat deri më sot Qeverisë së Kosovës ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, me ç’rast ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj vendit. Por ministri i Tregtisë, Endrit Shala, i ka thënë “Zërit” se taksa nuk hiqet pavarësisht kërcënimeve nga shteti fqinj.
Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Endrit Shala, i ka deklaruar dje gazetës “Zëri” se taksa do të mbetet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Arsyet se pse e kemi vendosur taksën kanë qenë pikërisht pengesat që Serbia e Bosnjë e Hercegovina ia kanë shkaktuar ekonomisë kosovare. Për këtë ne kemi vendosur taksën dhe ajo duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa të eliminohen arsyet, të cilat e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës të marrë një masë të tillë, edhe arsyet ekonomiko-politike”, ka thënë Shala për “Zërin”.
Kreu i Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë ka shtuar se arsyet për aplikimin e taksës janë të shumta, me ç’rast asnjë masë që mund ta marrë shteti serb nuk e dëmton Kosovën në aspektin ekonomik.
Ashtu siç tha edhe z. Limaj, Serbia duke i ditur krimet që ka bërë në Kosovë nuk i njeh e as nuk kërkon falje për to. Kjo është edhe një arsye më shumë që kjo taksë të mbetet në fuqi dhe do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Kosova dhe Qeveria e saj ka marrë vendim, Serbia në anën tjetër është e lirë të marrë çfarëdo vendimi, por në aspektin tregtar dhe në atë ekonomik nuk i pengon assesi Kosovës”, ka potencuar ai.
Sot u bënë 6 muaj prejse Qeveria e Kosovës e ka vendosur taksën 10 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, ndërsa dy javë më vonë kjo taksë është ngritur në 100 për qind.
Zyrtarët e Serbisë vazhdimisht kanë kërkuar heqjen e taksës, madje duke e kushtëzuar me vazhdimin e dialogut në Bruksel.
Heqjen e taksës disa herë e ka kërkuar edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, por një veprim të tillë ka refuzuar ta ndërmarrë shefi i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj, pavarësisht presioneve nga shtetet e fuqishme evropiane, por edhe nga SHBA-ja./ZERI