Familjarë e qytetarë të shumtë ishin mbledhur tek varrezat e dëshmorëve në Lagjen ‘Malësia’ për të parë nga afër zbulimin e tri shkronjave ‘UÇK’, aktivitet ky i organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Kamenicë në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, për nder të manifestimit tradicional “Qershori i Lirisë”.
Në këtë aktivitet të pranishëm ishin Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Liridon Kastrati, Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, zv. Ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, deputeti Bajram Mavriqi, Drejtori Behar Hyseni, kryetari i OVL-UÇK, dega në Kamenicë, Milaim Limoni, ish-komandanti Ahmet Isufi, kryetari i OVL-UÇK, dega në Gjilan Xhevdet Mehmeti, shefi i kabinetit Vaxhid Rexhepaj, drejtorë e zyrtar komunal, familjar të dëshmorëve, pjesëtarë të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, dhe të tjerë.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Liridon Kastrati, në fjalën e tij hyrëse uroi të gjithë për Ditën e Çlirimit duke përmendur kontributin dhe veprën e dëshmorëve.
“Në emër të Kryetarit Rahimaj dhe në emër të institucionit që përfaqësoj, sot në 26 vjetorin e Ditës së Çlirimit ju urojmë të gjithëve këtë ditë të shenjtë për ne e më së shumti familjarëve të dëshmorëve. Poashtu urojmë përurimin e tri shkronjave të arta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe jemi të interesuar të mbështesim çdo aktivitet të OVL-UÇK-së, dhe të jemi pranë familjarëve të dëshmorëve, pasi që në kohë lufte ata na mbështetën e nderuan, kurse tani është radha jonë që si gjeneratë e re të përkujtojmë dëshmoët e të mbështesim familjet e tyre”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në një fjalë rasti theksoi se zbulimi I shkronjave në këtë vend nuk është vetëm një akt simbolik që po e shënojmë bashkarisht, por që sipas tij është më shumë se sa përulje e të kalaurës për të arritur deri këtu ku jemi sot.
“Jemi pranë këtij vendi të shenjtë ku prehen në paqe bijtë e bija të lavdishme të Kamenicës që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Këtu ku toka ruan kujtesën më të çmuar të Ushtrisë Çlirimtare, sot të gjithë bashkë po zbulojmë nderin më përultësi për shkronjat e lavdishme UÇK. Këto shkronja nuk janë vetëm simbol që përfaqëson vlerën e luftës por janë më shumë thirrje për kujtesën tonë kolektive të përbashkët, për të kujtuar lavdinë e historisë sonë të afërt. Çdo emër që gjindet në këtë vend ku jemi bashkë, është vend në historinë tonë, prandaj edhe është një histori në vete prapa secilit emër. Është një betim për lirinë dhe një amanet për të ardhmen, dhe për të kujtuar të kaluarën. Këta që janë këtu nuk kanë kursyer asgjë nga vetja sepse besonin në të drejtën për të jetuar të lirë, për të folur gjuhën tonë dhe për të jetuar në një shtet tonin të shqiptarëve. Le të jetë kjo ditë një rifresikim i përkushtimit tonë për të ruajtur dhe për të ndërtuar Kosovën me dinjitet, drejtësi dhe dashuri për njëri –tjetrin ashtu siç kanë dëshiruar dëshmorët tonë. Urime 26 vjetorin e çlirimit të vendit dhe të Kamenicës. Lavdi dëshmorëve”, ka thënë ai.
Edhe ish-komandanti i Zonëës Operative të Karadakut, Ahmeti Isufi, nderoi veprën e dëshmorëve për lirinë e vendit.
“Sot kemi më shumë emocione sepse na kujtohet dita kur kemi hyrë triumfialisht në Komunën e Dardanës, dhe ato kujtime mbesin të pashlyera, sepse me shekuj populli ynë ka luftuar e sakrifikuar por prapë ka mbetur në robëri. Mirëpo Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti ta kurorëzojë të gjithë përpjekjen e popullit tonë për liri e pavarësi. Sot festojmë të lirë edhe pas 26 viteve në këtë qytet e që gjithmonë do të jetë liria prezente këtu, sepse i gjithë burimi i energjisë së popullit tonë është shkrirë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kur kujtojmë ato ditë të vështira secilin nga dëshmorët e kemi pasur në krahë në të gjithë territoret tjera, pasi që liria për ta ka qenë e pakufishme pavarësisht kufijëve artificial që na i patën vendosur. Urime dita e çlirimit, Lavdi dëshmorëve”, është shprehur ai.
Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së, dega në Kamenicë, Milaim Limoni, në këtë aktivitet tha se ky moment nuk është thjesht zbulim fizik disa shkronjave, por sdipas tij është një akt nderimi, kujtese dhe përgjegjësie dhe dëshmi që ne si shoqëri nuk harrojmë rrënjet e lirisë sonë, gjakun e derdhur dhe ëndrrën që mbeti në zemrën e secilit dëshmor.
“Sot jemi mbledhur në këtë vend të shenjtë prane varrezave të dëshmorëve tanë për të përjetësuar një simbol që nuk harrohet kurr, tri shkronjat e shenjta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK nuk ishte vetëm një organizatë luftarake, ajo ishte zëri i popullit të robëruar, ishte shpresa e fundi e një kombi të përndjekur dhe mbi të gjitha triumfi i drejtësisë ndaj një populli të shtypur. Sot zbulojmë këto shkronja pranë atyre që dhanë jetën që ne të jetojmë të lirë, të mbajmë kokën lartë dhe të ndertojmë një të ardhme me dinjitet. Këto shkronja do të shndrisin Dardanën ashtu siç e kanë shndritur vetë dëshmorët me veprën e tyre të përjetshme”, ka thënë ai.
Në këtë ëaktivitet janë ndarë edhe disa mirënjohje dhe më pas ceremonia është përmbyllur me performancën “Zani i Lirisë” nga aktorët e Gjilanit.