Në muajin shtator Gjykata e Ferizajt, e kishte dënuar vetëm me gjobë Sokol Halilin për armë të zjarrit, ani pse ndaj tij ishte ngritur aktakuzë dhe kishte urdhër të prerë që të mos i afrohej ish-gruas Hamide Magashi të cilën e vrau mbrëmë para Gjinekologjisë ku pritej të lindë foshnjën
Polica, Prokuroria e Gjykata në rajonin e Ferizajt kishin qenë të njoftuara se Sokol Haliti, i cili vrau me armë zjarri para Gjinekologjisë në QKUK gruan dhe foshnjën që pritej të lindë, kishte pasur historik të veprave penale që lidhen pikërisht me ish-gruan me të cilën ishte në proces të divorcit.
Haliti që edhe pas 16 orësh nga krimi makabër që kreu, është në arrati dhe nuk është kapur nga Policia e Kosovës.
Por ndaj tij, ekziton një aktakuzë për kanosje ndaj gruas Hamide Magashi, e cila i është ngritur në muajin gusht.
Por kjo nuk është e vetmja, policia e kishte kapur atë me armë zjarri dhe për këtë e kishte dënuar vetëm me gjobë, shkruan Insajderi.
“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.
Përveç kësaj, gjykata kishte lëshuar urdhër mbrojtje sipas së cilit Haliti nuk guxonte t`i afrohej ish-gruas së tij. Udhëri ishte valid deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Por kjo nuk e pengoi që Halili, të shkonte në Gjinekologji aty ku para disa ditësh u shtrua gruaja e që pritej ta linde foshjen pas një ditë.
“Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Pavarësisht aktakuzës së prokurorisë kur kishte nisur gjykimi Halili ishte deklaruar i pafajshëm.
“Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet”, thuhet në njoftim.
“Gjykata në afatin prej 30 ditëve konform nenit 245, 249 dhe 250 të KPP-së, i ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij se mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”, thuhet më tej.