Pionieri i muzikës rock, një prej anëtarëve që themeloi “The Allman Brothers Band”, ka vdekur në moshën 69-vjeçare.
Allman ka vdekur në shtëpinë e tij në Savannah të Georgias të shtunën. Lajmi është publikuar në ueb faqen e tij zyrtare, raporton BBC, transmeton sot “Koha Ditore”. Muzikanti kishte bërë famë fillimisht në bendin që e kishte themeluar me vëllanë e tij më të vjetër, Duane, në fund të viteve ’90. Në ditët e veta të suksesshme, bendi ishte bërë pjesë kryesore e radiostacioneve dhe kishte lansuar disa albume, që rangohen në mesin e albumeve më të mira në historinë e muzikës rock.
Allman, i cili ishte vokalist i bendit dhe po ashtu interpretonte edhe në tastierë, kishte shkruar disa nga hitet më të mëdha të bendit, përfshirë “Whipping Post”, “It’s Not My Cross to Bear” dhe “Midnight Rider”. Mes këngëve me të cilat njihej më së shumti “The Allman Brothers Band” është “Jessica”, e vitit 1973, që ishte shfrytëzuar edhe si melodi hapëse e spektaklit “Top Gear”. Pasi u bë publik lajmi për vdekjen e Allman, këngëtarja Cher, me të cilën ai ishte i martuar në vitet ’70, ka shkruar në rrjetin social “Twitter”, që ishte e pamundur të shprehte me fjalë atë që ndiente.
Tri albumet e para të bendit ishin ato që i bënë yje anëtarët e “The Allman Brothers Band”, por tragjedia ua ndali hovin në mes, kur Duane – i cili me talentin si kitarist ka lënë gjurmë në historinë e muzikës rock – vdiq në një aksident me motoçikletë në moshën 24-vjeçare më 1971. Në më pak se një vit më vonë, edhe basisti Berry Oakley kishte vdekur në një aksident me motoçikletë. Allman ka pasur një kohë kur ishte në betejë me përdorimin e drogës, duke u bërë i varur nga heroina në vitet ’70. Ai është nderuar me yll në “Rock and Roll Hall of Fame” më 1995, por siç ka shkruar në një memoar të publikuar më 2012, e të titulluar “My Cross to Bear”, ai ishte tejet i dehur e s’kishte mundur ta shijonte atë ceremoni. Allman ka qenë i diagnostikuar me hepatitin C më 1999 dhe po ashtu kishte bërë një transplantim të mëlçisë më 2010. Shkaku i vdekjes së tij deri më tani nuk është bërë publik.
Në vitin 2016, ai ishte detyruar ta anulonte turneun veror, për shkak të “telasheve serioze shëndetësore”, por të cilat nuk qenë specifikuar. Pas një rikthimi të shkurtër në skenë – në “Laid Back Festival” në Atlanta më 2016 – Allman kishte anuluar të gjitha datat e koncerteve të tija duke thënë se kishte probleme me vokalin.