Shkruan: Avni Rudaku
Shoqëria civile është ndër temat më të vështira për t’i kuptuar fëmijët, nxënësit. Prandaj, e kam gjetur një mënyrë më të lehtë. Ja si:
Në anën e djathtë të tabelës, e shkruaj me të mëdha: MË TË FORTIT. Kush janë më të fortit?
I shkruaj: Mbreti (nëse jemi në Angli)/Presidentja/Kryeministri/Ministrat/Kryetari i Kuvendit/Deputetët/Gjyqtarët/Prokurorët/Drejtoria e Policisë/Udhëheqja e ushtrisë/Kryetari i Komunës/Drejtorët e drejtorive/Kryesuesi/Anëtarët e Kuvendit Komunal…
Në anën e majtë të tabelës, i pyes nxënësit kush ka nevojë më së shumti për ndihmë, mbrojtje, dhe çka ka nevojë të mbrohet vazhdimisht? Nga ta dhe me ndihmën time, i shkruajmë: MË TË DOBËTIT.
I numërojmë dhe i shkruajmë në tabelë: Fëmijët/Gratë/Personat me nevoja të veçanta/Të varfrit/Të pastrehët/Komunitetet etnike/Komunitetet seksuale LGBTI/Të moshuarit/Nënat vetëushqyese/Viktimat e dhunës seksuale/Punëtorët/Populli/Qytetarët/Kafshët/Demokracia/Mjedisi…
Dhe dal në mes dhe u them:
Çka është shoqëria civile? Ku është shoqëria civile?
NË MES.
I mbron të dobëtit nga të fortit.
Qytetarët nga qeveritarët.
Punëtorët nga punëdhënësit.
I mbron të anës së MAJTË të tabelës nga ana e DJATHTË e tabelës.
Shoqëria civile gjendet në mes të pushtetarëve dhe qytetarëve, por gjithnjë afër qytetarëve. Del nga bashkimi vullnetar i qytetarëve për një aktivitet, pasion, qëllim të përbashkët.
Cili është funksioni i shoqërisë civile?
Kritikat ndaj udhëheqësisë qendrore e lokale.
Mbrojtja e anës së majtë nga ana e djathtë.
Mbrojtja e demokracisë, mjedisit dhe kafshëve.
Partneriteti me akterët e shtetit dhe komunës për të përmirësuar jetën e grupeve në anën e majtë.
Mbikëqyrja, kontrolli dhe përmirësimi i qeverisjes nga qeveritarët për të qeverisurit.
Nxitja e hapjes, komunikimit, dhënies së llogarisë e përgjegjësisë së TË FORTËVE para më TË DOBTËVE.
Ndihma ndaj shtetit për t’i ndihmuar anës së MAJTË në tabelë.
Organizimi i aktiviteteve të ndryshme, fushata vetëdijesuese, konferenca për masmedie, seminare, punëtori, diskutime, shkrim raportesh, monitorim, dhënie e përgjigjeve për gazetarët për tema të ndryshme, peticione, protesta, marshe, vërejtje, sugjerime, kritika, rekomandime, këshilla.
Ku rri shoqëria civile?
Në sheshe, në shkolla, në zyra, në shumë salla të hoteleve e restoranteve që janë bërë enkas për takime dhe organizime të tilla të OJQ-ve, në objektet ku i kanë organizatat e tyre, e sidomos duken më së shumti në masmedie, TV, mediet sociale, portale etj.
Po a devijon rrugën e saj shoqëria civile?
TË FORTIT gjithmonë duan të ndikojnë. Ka edhe raste kur përfshihen në regjistrime të OJQ-ve. Ka raste kur ndihmojnë më shumë OJQ të caktuara. Ka shumë raste kur individë nga shoqëria civile dalin tek ana e DJATHTË e tabelës. Shfaqen 2 vjet, 5 vjet, 10 vjet, tek të DOBËTIT, e më pas shkojnë e bëhen vetë TË FORTIT. Duke qenë për kohë të gjatë në shoqëri civile, disa kolegë, rezervohen në kritika ndaj ish-kolegëve të tyre të dikurshëm në shoqëri civile, sepse ruajnë ende lidhjet, interesat dhe miqësitë e tyre me ta. Por është gabim. Nuk mbrohet i FORTI, edhe pse dikur ka qenë shoqëri civile, sepse është veshur me pushtet. Ka dalë nga MESI i tabelës në anën e DJATHTË. Ka edhe raste, kur dështon në politikë, del nga ana e DJATHTË, në MES dhe i kthehet shoqërisë civile, por nuk bën, pa pushuar e u distancuar bile tri a pesë vjet nga kalimi prej politikës në shoqëri civile. Je i pabesueshëm! Je shpesh i njëanshëm! Je i mbingarkuar! Ka pasur raste kur para një jave ka dhënë dorëheqje si drejtor komunal, ose kryetar partie, pas pak ditësh a javësh, ia kanë shkruar në TV: Aktivist qytetar. Gabim trashanik!
A je me pozitën apo opozitën si shoqëri civile?
Përderisa opozita dëshiron pushtet, të bëhet e FORTË, të shkojë tek ana e DJATHTË e tabelës, natyrshëm dallon nga shoqëria civile. Mirëpo, në parim, është më afër me opozitën, sepse shoqëria civile flet më shumë për qytetarë, njësoj edhe opozita bëhet gjysmë-shoqëri civile, për të rritur elektoratin. Prandaj, shoqëria civile bashkohet me opozitën, për kritika ndaj pushtetit, por shoqëria civile kurrsesi nuk mbron pushtetin, pozitën, por në asnjë mënyrë nuk shqetësohet kur opozita bëhet e fortë dhe vishet me pushtet. Baahkëpunon me opozitën në çështje të caktuara, por edhe me pushtetin, por vetëm deri aty sa është në interes publik, derisa mbrohet ana e MAJTË në tabelë.
A je shoqëri civile kur e mbron 100 herë pushtetin, e me raste, e kritikon atë?
Jo. Është strategji. Kalkulim. Kamuflim. Mbulim.
Çfarë bën pjesë në shoqëri civile?
Organizatat Joqeveritare (OJQ). Unë propozoj që OJQ-të të quhen OQ-ja, Organizata Qytetare. Shumë OJQ edhe pse janë joqeveritare, me qëndrimet e tyre publike, janë OPQ, Organizata Poqeveritare.
Në shoqëri civile bëjnë pjesë edhe: shoqata, fondacione, klube, institute, sindikata, masmediet… Shoqëri civile mund të jetë fikall një individ, një qytetar aktiv, i cili vazhdimisht merret me problemet e komunës, shtetit. Shkruan shkrime, kritika dhe rekomandime ndaj qeverisjes lokale e qendrore. Merret aktivisht me çështje publike, pavarësisht që nuk është pjesë e ndonjë OJQ-je, shoqate, fondacioni, instituti, sindikate, masmedie…
A është vështirë të jesh shoqëri civile?
Shumë. Veçmas në shoqëri e shtet pa sigurim shëndetësor, pa sigurim të fortë social, pa sigurim kur e humb vendin e punës, pa paga më të larta krahasuar me standardin jetësor. Nëse e humb vendin e punës, diku tjetër paguhesh deri sa e gjen atë në mënyrë aktive. Nëse nuk ke aftësi, ose i humb ato, sërish mbrohesh. Ka situata edhe kur kalon p.sh., nga “Arbajtcamt në Socialamt”.
Sa kemi shoqëri civile aktive?
Gjendja më e mjerueshme është në komunat e Kosovës, madje edhe për çështjet e Komunës së Prishtinës. Në kryeqytet, e kemi situatën më të mirë, por merren kryesisht me temat e nivelit republikan, qendror. Në përgjithësi, kemi shumë pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët kanë lidhje direkte e indirekte me politikën; lidhje të hapura e të fshehura. Disa as nuk e kuptojnë rolin e tyre, shpesh e ngatërrojnë. Disa bëhen të pabesueshëm si zëra: hynë në politikë nga shoqëria civile, kthehen sërish, dalin sërish. Disa e përdorin si “tren” për politikë. Duan vota përmes televizionit. Disa nuk vijnë nga shkencat shoqërore dhe shkencat politike. Ngatërrojnë keq konceptet, rolet dhe detyrat. Disa duke pasur kontakte nga natyra e punës, me politikanë të caktuar, bëhen miq, lidhin komunikim të personalizuar, por edhe lidhin interesa. Gjatë aplikimit për thirrje publike, konkurse, shpresojnë në mbështetje reciproke. Bëjnë kompromise.
Kush e financon shoqërinë civile?
Ambasadat e huaja, fondacionet e ndryshme, aplikimet në Thirrjet Publike nga komunat, Qeveria dhe Ministritë përkatëse, varësisht nga temat dhe fushat që mbulojnë. Edhe Komisioni Evropian financon, ndonëse ka burokraci të tepruar me shumë rubrika, kolona e letra, dhe kërkon partneritete, që me izolim si Kosova, paraqet mjaft probleme, si dhe mbulimin vetë me një përqindje. Ka edhe biznese që mbështesin shoqërinë civile. Ka edhe donatorë të ndryshëm. Financimi është sfida më e madhe për pavarësi të plotë. Ka edhe keqkuptime të mëdha. Të financojnë dhe hatërmbeten që i kritikoni të nesërmen, duke kujtuar se janë paratë e tyre, e jo të taksapaguesve. Kujtojnë se financoheni për të pushuar kritikën ndaj tyre dhe gabojnë shumë.
A duhet ta kritikojmë shoqërinë civile?
Po. E kritikojmë veten, Qeverinë, opozitën, çdo autoritet se si sillet me vartësit e tij/saj, prandaj njësoj është me kritikat ndaj shoqërisë civile.
A bën pa shoqëri civile?
Në çfarëdo varianti, pavarësisht lojës së disave si shoqëri civile dhe mbrojtjes së Qeverisë, nuk bën pa të në shoqëri demokratike. Ajo bëhet një zë i shprehjes, komunikimit dhe diskutimit në hapësirë publike. Ka disa që e devijojnë, që rrinë në shoqëri civile dhe mbrojnë Qeverinë. Disa mbesin me opozitën. Disa vetë nuk e dinë për çka ekziston shoqëria civile. Disa ishin në politikë dhe kur dolën në shoqëri civile, janë të pabesueshëm. Në secilin version, shoqëria civile është jetike për demokracinë. Bëhet kanal komunikimi publik. Nxitje e diskutimit në sferë publike. Shkas i komunikimit masiv për interesin qytetar. Shkas i debatit për interes publik. Balancon tri pushtetet, duke krijuar edhe vetë pushtet autoritativ. Është avokat i anës së MAJTË nga ana e DJATHTË. Me rëndësi, me qenë në MES dhe gjithmonë më pranë dhe me anën e MAJTË. E DJATHTA mbrohet vetë. Ka buxhet. Pushtet. Autoritet. Autorizime. Polici. Ushtri. Fuqi për presion direkt dhe indirekt. Përgjues. Zëdhënës. Klientelë. Militantë.