Një skandal ka ‘plasur’ në komunën e Vitisë. Shefi i burimeve njerëzore ia ka publikuar të dhënat personale gazetarit i cili po konkurronte për një vend pune si psikolog, në njërën nga shkollat e kësaj komune. Si rrjedhojë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka marrë vendim në favor të gazetarit i cili ka parashtruar ankesën në këtë institucion. Insajderi ju sjell detajet.
Në shtator të 2022-ës, gazetari, Irfan Maliqi ka parashtruar ankesën e tij në AIP përmes të cilës shprehte shqetësimin se shefi i burimeve njerëzore në Komunën e Vitisë, Hysen Ymeri kishte abuzuar me detyrën e tij, përkatësisht kishte publikuar të dhënat personale të Maliqit, në platformën e tij në Facebook, lidhur me aplikimin për punë.
Pas parashtrimit të ankesës, duke u bazuar në Ligjin për të Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përmes një email adrese i është kërkuar zyrtarit të komunës sqarim.
Me 7 dhjetor, Agjencia pranon përgjigjën e shefit të burimeve njerëzore në komunën e Vitisë. Ai thotë se Maliqi, i cili me profesion është gazetare kishte kandiduar sipas tij për psikolog.
Sipas tij, ai nuk i plotësonte kushtet për të fituar atë vend pune.
“Mbështetur në të dhënat që posedojmë si dhe duke u mbështetur në gjendjen faktike, z. Irfan Maliqi, gazetar në Plus TV, ka konkurruar në konkursin publik të shpallur nga Njësia e Burimeve Njerëzore, pozitat psikolog pranë DKA-së në SHML Kuvendi i Lezhës, Viti. Mbështetur në legjislacionin aktual, Irfan Maliqi nuk i ka plotësuar kriteret për tu ftuar në intervistë me shkrim, pasi që i njëjti nuk ka pasur kualifikim adekuat- është kërkuar psikologë, kurse z. Irfan Maliqi, kishte te përfunduar fakultetin filozofik, drejtimi filozofi”, ka deklaruar Imeri.
Shefi i Burimeve Njerëzore në këtë komunë, po ashtu ka akuzuar gazetarin se ka shfrytëzuar median ku punon për të dezinformuar, përkatësisht për ta dëmtuar reputacionin e tij.
“I zhgënjyer me mos ftesën për intervistë, z. Irfan Maliqi shfrytëzon televizionin publik për të dezinformuar si dhe për të bërë vetgjyqësi publike si dhe duke ndërhy në procedurat e konkurrimit. Duke shfrytëzuar hapësirën mediale në PLUS TV, më datë 27.09.2022, gazetari z. Irfan Maliqi, gazetar në mediumin PLUS TV, Viti, përmes kronikës televizive, dezinformon opinionin publik, duke shfrytëzuar hapësirën televizive (keqpërdorur), bën shpifje dhe fyerjes dhe dëmton rëndë reputacionin tim, si Udhëheqës i Njësisë së Burimeve Njerëzore, Viti. Në hapësirën e keqpërdorur televizive, i cili ka një shikueshmëri teje të lartë, pasi që kronikat televizive publikohen edhe në Facebook, i padituri- Irfan Maliqi, deklaron se në Qendrën për Punë Sociale. Viti (QPS), nuk ka punëtorë të profileve të shkencave sociale, si dhe deklaron se në këtë institucion ka vetëm jurist dhe nuk ka psikologë”, deklaroi ai.
“Dhe për këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë, akuzon Njësinë e Burimeve Njerëzore, kinse sipas tij, QPS, në mungesë të personelit adekuat”, nuk po mund të ofroj shërbime profesionale”.
Bazuar në sqarimin e Imerit, Maliqi ka gënjyer.
“Pavarësisht kësaj, ai dezinformon se në këtë institucion (QPS), nuk ka fare psikologë, në fakt në këtë institucion ekziston psikolgia, e cila brenda mandatit të saj, mund të angazhohet në detyrat që kanë nevojë për trajtim psikologjik, nga ana e drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe QPS-së, ku për organizim të brendshëm të kësaj drejtorie, e në veçanti, QPS-së, Njësia e Burimeve Njerëzore nuk ka kompetencë për organizim të brendshëm”.
Si përfundim ai ka thënë se ka qenë i detyruar t’ia publikojë aplikacionin e konkurrimit.
“I ndier i shantazhuar dhe i kërcënuar nga veprimet e z. Irfan Maliqi, unë Hysen Ymeri kam qenë i detyruar të komunikoj me palën përkatësisht, të këshilloj palën se veprimet e tilla janë të papranueshme dhe denigruese për mua. Prandaj me qëllim të transparencës, kam qenë i detyruar të publikoj, në rrjete sociale aplikacionin e konkurrimit të z. Irfan Maliqi, gjithnjë duke ruajtur privatësinë, duke mbuluar të dhënat personale, ndaj të njëjtit unë kam ushtruar padi për shpifje, sepse ndaj meje është ushtruar kallzim penal, i cili është refuzuar si i pa bazuar nga Prokuroria”.
Shefi i burimeve njerëzore insiston se nuk ia ka zbuluar të dhënat personale.
Pavarësisht arsyetimit të dhënë nga Imeri, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka vendosur në favor të gazetarit, Irfan Maliqit, si rrjedhojë ka konstatuar se “…përpunimi i të dhënave personale përmes publikimit të formularit të kërkesës për punësim, në platformën Facebook, është në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, drejtësisë dhe transparencës në bazë të të cilit të dhënat personale përpunohen në mënyrë të paanshme, të ligjshme dhe transparente”.
Sipas këtij institucioni, kontrolluesi i të dhënave nuk ka pasur bazë ligjore për publikimin e të dhënave, të shpallura nga Njësia e Burimeve Njerëzore, pozite psikolog pran DKA-së në Shml “Kuvendi i Lezhës”, Viti.
Rrjedhimisht, Agjencia ka obliguar Hysen Ymerin ta largojë publikimin nga platforma Facebook.