Në shumicën e vendbanimeve në Luginë të Preshevës, ka përfunduar regjistrimi i popullatës dhe amvisërive.
Procesi i regjistrimit të popullatës dhe amvisërive i filluar më një tetor në Serbi, e që është paraparë të përfundojë sot me 31 tetor, pothuajse ka përfunduar, përfshirë edhe në të gjithë vendbanimet shqiptare.
Sipas përfaqësuesve të Komisionit Komunal për Regjistrim, procesi është zhvilluar pa ndonjë problem, ndërsa rezultatet preliminare, i përgënjeshtrojnë autoritet shtetërore, të cilat shqiptarët i konsideronin vetëm 5.200 persona, bazuar në regjistrimin e vitit 2011, të cilin e kishin bojkotuar shqiptarët.
“Rezultatet preliminare janë se në komunën e Preshevës, me të gjitha 35 vendbanime, jetojnë 58. 850 qytetarë rezident dhe jorezident, në 11.573 amvisëri. Sipas informatave që i kam, Bujanoci ka diku mbi 54.000 qytetarë, ndërsa Medvegja mbi 8.300 qytetarë shqiptarë”, thotë Hevzi Ramadani, kryetar i këtij komisioni.
Qytetarët në Preshevë, iu kanë përgjigjur pozitivisht regjistrimit ndërsa shprehen të kënaqur që janë regjistruar të gjithë edhe ata që jetojnë këtu e edhe familjarët e tyre që jetojnë ën diasporë.
Rezultatet e para zyrtare Enti për Statistika i Serbisë pritet t`i bëjë publike nga fundi i nëntorit, ndërsa ato përfundimtare më së voni deri në fundin prillit të vitit 2023.
Procesi i regjistrimit në tri komunat e Luginës së Preshevës është monitoruar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e misionit të OSBE-së në Serbi./rtklive/