Eksperienca e klubeve kosovare të futbollit do të vazhdojë edhe sonte.
Dy skuadra të këtushme, Gjilani dhe Llapi do ta nisin përvojën e re në Conference League me përballjet përkatëse që do t’i kenë në kuadër të rrethit të parë kualifikues.
Skifterat” do t’ia bëjnë sefte duke u përballur me klubin letonez, FK Liepaja.
Trajneri Zekirija Ramadani dhe futbollisti Albert Dabiqaj shprehen optimistë se klubi kosovar do të dalë me kokën lartë nga ndeshja e sontme, shkruan “Gazeta Express”.
Natyrisht, ata kanë respekt për ekipin kundërshtar, i cili ka përvojë më të madhe ndërkombëtare dhe janë të vetëdijshëm se i pret një sfidë e vështirë.
“Do të jetë ndeshje me shumë vlera dhe mendoj se e kemi pasur kohën e duhur. Liepaja është ekip me eksperiencë, por ne i kemi pikat tona të forta dhe nëse arrijmë ta imponojmë lojën tonë e jo të kundërshtarit, do të marrim rezultat pozitiv. Nëse nuk marrim rezultat të mirë, nuk do të thotë se përfundon, por uroj të fitojmë ne. Nuk na intereson loja e mirë, por na intereson kalimi i raundit. Objektivi është kalimi tutje”, deklaroi në konferencë për shtyp trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut.