Sot sheshin do të protestohet në mbështetje të 11-vjeçares, e cila u dhunua nga pesë të dyshuar në Prishtinë.
Protesta do të mbahet në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka deklaruar se nga kjo protestë kërkojnë mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit si dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).
“Kësaj gjendjeje terrori duhet t’i vije fundi. Vajzat dhe gratë në Kosovë nuk mund të jetojnë asnjë ditë tjetër me frikë. Djemtë e burrat nuk mund të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. Përdhunimi i vajzës së mitur dhe i dhjetëra grave tjera veç gjatë këtij viti përveç që na indinjon, na revolton dhe na fton në radikalizim të mjeteve tona të protestës e vetëmbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me rastin e 11-vjeçares, janë arrestuar pesë të dyshuarit dhe të njëjtit janë në paraburgim.
Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dje ka dhënë dorëheqje pas këtij rasti.