Një person ka mbetur i lënduar pas një sulmi me mjet të mprehtë që ka ndodhur paraditen e së martës në Gjilan shkruan Radio Star.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 9 qershor 2026, rreth orës 10:10, në rrugën “Mulla Idrizi” në qytetin e Gjilanit.
Policia njofton se zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Gjilan kanë arrestuar dy persona të dyshuar, meshkuj kosovarë, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, njëri prej tyre ka sulmuar tjetrin me një mjet të mprehtë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
“Me datën 09.06.2026 rreth orës 10:10, zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Gjilan në rrugën ‘Mulla Idrizi’ në qytetin e Gjilanit kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë me dyshimin se të njëjtit, pas një mosmarrëveshjeje në mes vete, njëri prej tyre dyshohet se ka sulmuar tjetrin me një mjet të mprehtë, duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Personit të lënduar i është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjilan.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit./radiostar/

