Të enjten, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, Nenad Gjuriq për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.
Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.
“Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovë.