Kandidati për kryetar të Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arbër Ismajli është i bindur se zgjedhjet e së dielës së 12 tetorit do ia sjellin fitoren pa balotazh.
“Jemi subjekt i konsoliduar. E mira e kësaj është që edhe kandidatura është me unanimitet, nuk ka pas përçarje edhe përkundër asaj që partia rivale po insiston që në opinion me i shitë si përçarje, por jemi shumë stabil. Jam i sigurt që të dielën, përveç që kemi me dalë mirë, unë nuk besoj që ka me pas balotazh, sepse kemi me fitu pa balotazh”, deklaroi ai në VV show në Paparaci.
Tutje thotë se në këtë synim e ndihmojnë qytetarët që përgjatë fushatës i ka takuar.
“Unë kam gjatë muaj që jam në teren. Kam rreth 603 takime me listë që kam takuar qytetarë, grupe të ndryshme të interesit, familjarë, struktura të cilët asnjë nuk më kanë thanë që kena me të votu, por kanë thanë që kena me të ndihmu”, shtoi Ismajli.
Kandidati për kryetar të Gjilanit thotë se edhe “keqqeverisja” e partisë aktuale në pushtet do ia ndihmojë rrugëtimin drejt fitore.
“Sepse po të them sinqerisht, degradimi që iu ka ba Gjilanit këto katër vjet. Krejt këto katër vjet është një lloj depresioni politik, njerëzit nuk po ndihen mirë sepse kultura politike e rivalëve tanë është qasi soji”, shton Ismajli.
“Ata cka përfaqësojnë këta është një lloj trysnie politike e qytetarëve”, thotë Arbër Ismajli teksa i referohet kryetarit aktual të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hysenit.
Ismajli shton se qytetarët e Gjilanit ndihen të rrezikuar.
“I kërcënojnë njerëzit me largim prej punës, me ndërprerje të kontratave. Ka probleme në shëndetësi, ka njerëz pa paga, ata që cohen në pesë në mëngjes dhe e pastrojnë qytetin”, shprehet ai.