Një ilaç eksperimental kundër kancerit duket se i ka shëruar të gjithë pacientët që u përfshinë në një testim me pak pjesëmarrës në Shtetet e Bashkuara.
Të gjithë 12 pacientët, që ishin diagnostikuar me kancer në zorrën e trashë, hynë në periudhën e heshtur të sëmundjes pas përdorimit të ilaçit “dostarlimab” gjatë një periudhe gjashtëmujore, sipas një studimi të publikuar në revistën “New England Journal of Medicine”.
“Kjo është hera e parë që një gjë e tillë ka ndodhur në historinë e kancerit”, tha Dr. Luis Diaz, njëri nga autorët udhëheqës të studimit dhe onkolog në Qendrën e Kancerit “Memorial Sloan Kettering” në Nju Jork, për gazetën “The New York Times”.
Pacientët nuk përjetuan efekte të konsiderueshme anësore gjatë rrjedhës së trajtimit, ndonëse besohet se nuk janë përfshirë njerëz të mjaftueshëm në studim për t’i vënë në pah reagimet e ndryshme negative që shkaktohen nga ilaçi.
Ndonëse të mahnitur me këtë hulumtim, shkencëtarët thonë se rezultatet premtuese do të duhet që të përsëriten dhe paralajmëruan kundër konkluzionit që pacientët janë shëruar nga kanceri duke e përdorur ilaçin eksperimental.
“Dostarlimab”-i është ilaç i imunoterapisë, që përdoret për ta trajtuar kancerin endometrial, por ky ishte hulumtimi i parë klinik për atë nëse substanca do të mund të ishte efektive kundër tumoreve të kancerit të zorrës së trashë.
Ilaçi funksionon duke i “demaskuar” qelizat e kancerit, duke ia lejuar sistemit imunitar identifikimin dhe shkatërrimin e tyre.
Për këtë studim, 12 pacientët përdorën “dostarlimab” çdo tri javë për gjashtë muaj. Ky trajtim do të pasohej nga kimioterapia standarde dhe operacioni.
Megjithatë, gjashtë muaj pas ndërprerjes së përdorimit të këtij ilaçi, kanceri i pacientëve ishte zhdukur, duke u bërë i padukshëm përmes testimit fizik, endoskopisë apo skenimeve PET dhe MRI.
Dy vjet pas studimit, pacientët duket se ende nuk kanë kancer dhe asnjë pjesëmarrës në hulumtim nuk është trajtuar ende me kimioterapi dhe as nuk i është nënshtruar operacionit.
Të gjithë 12 pacientët në studim kishin tumore me mutacione gjenetike të njohura si MMRd, që shihen te përafërsisht 5 deri në 10 për qind e pacientëve me kancer në zorrën e trashë.
Pacientët me këso tumoresh priren që t’u përgjigjen më pak trajtimeve me kimioterapi dhe rrezatim, gjë që e rrit nevojën për largim kirurgjik të tumoreve./Nacionale