Dogana e Kosovës ka parandaluar kontrabandimin e rreth 200 kilogramëve mish dyneri në Pikëkalimin Kufitar Glloboçicë, duke shmangur një rrezik serioz për shëndetin publik.
Rasti ka ndodhur mbrëmjen e kaluar rreth orës 18:20, kur zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll një automjet udhëtarësh në hyrje të vendit. Drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të paraqitur, por gjatë kontrollit të detajuar u zbuluan 10 rollne dyneri me nga 20 kilogramë secila, me një peshë totale prej rreth 200 kilogramësh dhe vlerë afro 800 euro.
Sipas Doganës, mishi transportohej në kushte të papërshtatshme higjienike, pa frigorifer dhe pa kontroll sanitar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, duke paraqitur rrezik potencial për konsumatorët.
Autoritetet kanë sekuestruar mallin dhe kanë nisur procedurë kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës. Dogana u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin aktivitetet e paligjshme dhe kontrabandën, duke theksuar se shkeljet e sigurisë ushqimore mund të kenë pasoja serioze për shëndetin publik dhe ndëshkime ligjore.

