Shkruan: Avni Rudaku
Tregu i Gjelbër në Gjilan është një treg tradicional për disa dekada mbi ish-Shtëpinë e Mallrave, një pararendës i marketeve të sotme. Të shtuneve – ditëve të pazarit gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, prisnim shumë mysafirë nga Poliçka, Zhuja, Velegllava, Shipashnica e Poshtme, Lajçiqi etj., kryesisht nga fshatrat e malësia e Kamenicës. Shtoja ditës së pazarit, edhe që kishim telefonin fiks në shtëpinë tonë në Gjilan dhe vinin shumë mysafirë nga këto fshatra, për të komunikuar me familjarët e tyre në Zvicër e Gjermani dhe ende e kujtoj se sa vështirë merrej lidhja telefonike, me prefikset +9941 (Zvicër), +9949 (Gjermani). Mërdhiheshim korridoreve, sepse si fëmijë, na thoshin provojeni ju mos po hyni në lidhje, ndërsa më të rriturit rrinin në dhomën kryesore të ndejës dhe bisedonin gjerë e gjatë me mysafirët e shtëpisë. Prandaj, në kujtesën time, Tregu i Gjelbër ndërlidhet në asociacion edhe me telefonin fiks, si dhe ardhjen e shumë mysafirëve e sfidat e nënës që t’i shërbente bukë aq shumë mysafirëve që vinin në të bujshëm, e veçmas në ditën e premte – një ditë para ditës së pazarit. Kishte linja të rralla të autobusëve nga Gjilani për në fshatrat e Kamenicës dhe po që se nuk e zinin autobusin, e vazhdonin bujtjen edhe për një ditë e më shumë. Iku edhe ajo kohë, por të flasësh për Tregun e Gjelbër të Gjilanit, nuk mund ta fillosh pa këto kujtime e nostalgji, e herë dhembje për ato vështirësi të mikpritjes së aq shumë mysafirëve, veçmas nga nëna ime.
Kur shkruaj për Tregun e Gjelbër, e ndërlidhi sigurt në mendjen time, edhe me kujtesën për hamajt. Nuk e harroj asnjëherë njohjen me aq shumë hamaj me kolica (karroce), të cilët transportonin artikujt e blerë nga gjyshi e nëna, duke i sjellë nga tregu, drejt në shtëpinë tonë. Gjithashtu mbaj në mend që blinin shumë pula të gjalla dhe përballë shtëpisë sonë, ku ishte një kodër e vogël dheu në ish-Gavran (Dardania 1) dhe krejt livadhe, preheshin pulat dhe gjithmonë na vinte interesant kërcimi i pulave edhe disa sekonda, edhe pas heqjes së kokës dhe ende këto skena me mizori gjaku janë të freskëta. Tregu i Gjelbër na kujton edhe dhembjen për fytyrat e skuqura e lodhjen e më të rriturve, që i bartnin me qese (i thoshin këse, edhe “tashne”) nga tregu në shtëpi, duke u ndalë herë pas herë gjatë kthimit në shtëpi prej pazarit, pasi dikush kishte më shumë forcë, ecte më shpejt dhe e priste familjarin tjetër nëpër distanca të ndryshme, me plot qese në dy duart. Prandaj, për Tregun e Gjelbër, brezi im dhe më i moshuar, ka shumë kujtime dhe shfaq interes dhe kujdes më të veçantë për të.
Tregu i Gjelbër në konkurrencë me Qendrat e Mëdha Tregtare
Pas luftës së vitit 1999, si gjithkund në Kosovë, edhe në Gjilan, Tregu i Gjelbër, po sfidohej nga “dinozaurët e tregtisë”, qendrat e mëdha tregtare. Dyqanet e pavarura tregtare, shitoret e vogla, tregu tradicional, po dëmtoheshin shumë nga investitorët gjigantë. Modernizimi i hapësirave, shumëllojshmëria e artikujve, ofrimi i shumë shërbimeve në të njëjtin vend, edhe blerje produktesh, edhe pushim duke pirë kafe në kafebaret ngjitas me qendrat tregtare, këndet e lojërave për fëmijë etj., po ndryshonin sjelljet e konsumatorëve. Sidoqoftë, Tregu i Gjelbër, mbijetoi edhe sot, ndonëse me shumë vështirësi. Në vitet e fundit është bërë objekti i ri i Tregut të Gjelbër, ende i papërfunduar në tërësi dhe ende jofunksional. Për këtë arsye do të shkruaj për disa nga dhembjet për tregtarët e këtij tregu, duke i numëruar një nga një:
1. Para ndërtimit të objektit të ri të tregut, tregtarët investonin, por nuk mund të investonin aq shumë, për shkak se tregu i vjetër do të prishej. Sidoqoftë, investonin dhe investimet e tyre shkonin dëm.
2. Ndërtimi i tezgave moderne në formë garazhe, i ka dhënë edhe pakënaqësi tregtarëve, pasi hapësirat e reja janë më të vogla për veprimtarinë tregtare, krahasuar me hapësirat e vjetra tradicionale.
3. Pandemia COVID-19 në vitin 2020, ka dëmtuar skajshëm tregtarët. Pavarësisht kësaj, qiraja e tezgave ka vazhduar rregullisht. Pandemia i dëmtoi edhe më shumë tregtarët e Tregut të Gjelbër, që shisnin fustane për nuset, pasi që për kohë të gjatë, ndaloheshin dasmat, nga masat e izolimit për shkak të pandemisë. Ironikisht, vetë virusi deri më tash, supozohet se erdhi nga një treg i tillë tradicional nga Wuhani i Kinës, ndonëse ishte një treg i kafshëve të egra, diçka analoge me tregun e pulave në qytetin tonë!
4. Pas luftës së vitit 1999, qendrat e mëdha tregtare, duke përfshirë çmimet, kushtet më të mira për konsumatorë, parkingun etj., i joshën më shumë konsumatorët për të mos frekuentuar aq Tregun e Gjelbër, ndërsa pandemia ia dha goditjen tjetër të radhës, diçka që nuk i ndodhi qendrave të mëdha tregtare, të cilat janë të rralla biznese që kanë përfituar, edhe kur të gjitha institucionet e bizneset e tjera janë mbyllur nga masat e izolimit ekstrem, e veçmas gastronomia është ndër sektorët më të prekur nga pandemia.
5. Të rinjtë dhe të rejat, por edhe shumë shtresa që e identifikojnë veten më të pasur, më të arsimuar, më të urbanizuar, më “aristokratë” etj., ende kanë druajtje, hezitim e turp për të frekuentuar pazarin, pasi gabimisht është sinonim i statusit më të ulët social, ekonomik e kulturor, si dhe për shkak të stereotipave që në pazar shkuakan vetëm fshatarët (!), ka gjëra vetëm lirë e jo cilësore (!), kurse grupmoshat e reja, nuk e kanë këtë stereotip kur shkuakan në qendrat e mëdha tregtare e moderne, por po kur e menduakan vizitën në pazarin tradicional të qytetit.
6. Funksionalizimi i tregut të ri u vonua tejmase. Mosfunksionalizimi i tregut të ri, ka krijuar dëme të mëdha: shumë blerës kujtuakan se tregu nuk punon. Tregu punon, pavarësisht se është duke u ndërtuar objekti i ri, por te konsumatorët, ende është kjo përshtypje. Funksionalizimi i tregut sërish është shtyrë dhe premtimi i fundit është për në muajin shtator.
7. Politikanët dhe përgjegjësit e tregut nuk mbajtën zotimet për përfundimin në pjesën e parë të vitit 2020, përkatësisht, muaji qershor i këtij viti ishte maksimumi që mund të tolerohej.
8. Është bërë përurimi nga ish-kryetari për ta dhënë mesazhin se ishte “projekt i tij”, ende kur po shtoheshin bllokat e kuq për më shumë lokacione të shitjes për tregtarë.
9. As pas tre-katër ditësh të përurimit, që i bie rreth 2 dhjetor 2021, nuk u funksionalizua pjesa kryesore e tregut të ri. Madje, edhe sot, 14 gusht 2022, nuk është funksionalizuar.
10. Tash tregtarët janë të pakënaqur që edhe pas vonesave të shumta në funksionalizimin e tregut, dëmtimit të rëndë nga konkurrenca e qendrave të mëdha tregtare, mbylljes pas pandemisë, vazhdimit të qirasë rregullisht, tash është kërkuar të rritet çmimi i qirasë për ta, në 8 euro për metra katrorë. Dikur ka qenë 3.50 euro e 5 euro, varësisht prej veprimtarisë që kanë ushtruar tregtarët. Tregtarët janë të dëshpëruar me këtë rritje çmimi dhe kërkojnë rënien për disa euro, pasi që edhe kanë pak konsumatorë, edhe janë dëmtuar për shumë vjet.
11. Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor, në maj 2022, ka gjetur disa parregullsi për ndërtimin e Tregut të Gjelbër. Në faqen 4, thuhet se Komuna për projektin “Ndërtimi i tregut të gjelbër në Komunën e Gjilanit” në vlerë 509 mijë e 177 euro, kishte aplikuar procedurën joadekuate të prokurimit. “Komuna më 14.03.2019 kishte lidhë kontratë në vlerë 871 mijë e 173 euro, për projektin “Ndërtimi i tregut të gjelbër në Komunën e Gjilanit”, projekt ky që sipas menaxherit të projektit nuk ka mundur të finalizohet për shkak të mangësive të sasive si dhe mungesës së pozicioneve të veçanta në paramasë dhe parallogari në raport me projektin. Me ç’rast menaxheri i projektit e njofton zyrën e prokurimit për pengesat e hasura në realizimin e këtij projekti. Zyra e prokurimit, marr parasysh këtë, ka konsideruar si urgjente dhe të domosdoshme kryerjen e punëve shtesë në mënyrë që mos të rrezikohet investimi si dhe nevojën e domosdoshme të tregtarëve për tregun, aplikon procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë duke ju dërguar ftesë për negociata tre Operatorëve Ekonomik (OE). Vetëm operatori fitues i cili njëkohësisht kishte kontratën bazë, e dërgon ofertën financiare. Pas vlerësimit të ofertës komisioni i vlerësimit rekomandon zyrtarin përgjegjës të prokurimit dhënien e kontratës. Me datën 22.04.2021, lidhet kontrata në vlerë 509 mijë e 177 euro. Në këtë rast zyra e prokurimit marr parasysh kërkesat e rregullës dhe udhëzuesit duhej të përdorte procedurën e hapur të prokurimit. Vlen të theksohet se ky projekt ende nuk ishte përfunduar deri sa ne ishim në terren (04.03.2022), pavarësisht që sipas planit dinamik ka pasur të përfundojë brenda 90 ditëve. Sipas komunës kjo ka ndodhur për shkak të nevojës emergjente lidhur me investimin për tregun. Komuna kishte hyrë në obligime kontraktuale pa pasur mjete mjaftueshme të zotuara. Rastet kanë të bëjë me projektet: Ndërtimi i tregut të gjelbër në Komunën e Gjilanit. Gjithashtu, mjetet e bartura nga të hyrat vetjake ishin të dedikuara për financimin e projekteve kapitale si: Ndërtimi i tregut të gjelbër në vlerë 320 mijë euro.” (ZKA, maj 2022)
Përfundim
Tregu i Gjelbër duhet të ruhet si kujtesë kolektive e qytetit. Tregtarët e vegjël duhen të mbështeten nga Komuna e Gjilanit dhe kudo tregjet e vogla tradicionale në Kosovë, duhen të mbështeten nga ministritë përkatëse të ekonomisë. Ato janë ekonomi familjare. Shumë tregtarë janë edhe nga fshatrat përreth të Gjilanit dhe kanë nevojë që të kenë stimulim në bizneset e tyre të vogla familjare, duke mos i detyruar të zhvendosen nga zonat rurale në ato urbane. Funksionalizimi i tregut duhet të jetë dinamik, me ndihmesa të çdo tregtari për ndryshimet eventuale në tezgat e reja. Dyert e këtyre tezgave nga lart-poshtë nuk dukeshin shumë funksionale dhe po që se mbesni brenda, nuk gjenit ndonjë buton për të dalë jashtë. Disa mund të kërkojnë edhe xhama dhe duhet të rimendohet edhe kjo gjë, për t’i ndihmuar tregtarët në përshtatjen me objektet e reja e të vogla. Ende është kaos përreth objektit të ri deri sa të hiqen tezgat e vjetra dhe ka nevojë urgjente që të rregullohet, mirëmbahet vazhdimisht dhe të ketë edhe gjelbërim përreth tregut. Tregimi për Tregun e Ri duhet të mbyllet urgjentisht në radhë të parë, në interes të tregtarëve. Ata dhe ato ende po ruajnë kujtesën kolektive të qytetit.