Kuvendi i Kosovës mban sot seancë plenare nga ora 10:00. Në rend dite është edhe projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.
Ky Projektligj do t’u mundësonte qytetarëve tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale. Por kjo po kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet dhe kundër kësaj nisme foli edhe kryeministri Albin Kurti në një nga mbledhjet e Qeverisë.
“Nëse vërtetë ka punu ashtu siç është deklaruar, mendoj që ajo i ka sforcu radhët e veta dhe është problem që të merret ndonjë votë nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha në T7, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Ajo tha se kjo çështje nuk është në dorë të opozitës, por tha se ka gjasa që projektligji të miratohet. Tha se dy apo tre deputetë të LVV-së mund të votojnë PRO.
“Janë minoritetet ato që ndoshta do ta përcaktojnë ose determinojnë kalimin ose moskalimin e Trustit dhe mund të jenë dy, eventualisht tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët mund të reflektojnë karshi situatës dhe kërkesave të qytetarëve”, tha ajo.
“Tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale e ka propozuar PDK-ja. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri tha të hënën se “ky draft ligj prek rreth 695 mijë qytetar kontribues”.
Një ligj konsiderohet i miratuar nëse për të votojnë shumica e deputetëve të pranishëm në seancë. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se do të ketë deputetë nga pozita dhe opozita që do të mungojnë në këtë seancë.
Projektligjin e kanë mbështetur edhe dy partitë tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind të kursimeve është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së koronavirusit.