Është ndalur për veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve e të substancave psikotrope, që janë të dënueshme sipas ligjeve të Kosovës, por i dyshuari Sh.R. do të mbrohet në liri.
Një vendim i tillë është marrë nga Gjykata Themelore e Gjilanit, Departamenti i Krimeve të Rënda që ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, që kishte kërkuar masën e paraburgimit për të pandehurin.
Në këtë çështje është mbajtur seancë dëgjimore më 03 qershor të këtij viti, pas së cilës edhe është refuzuar propozimi i Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe të pandehurit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji. Në bazë vendimit të marrë, i pandehuri Sh.R. nuk guxon që të largohet nga shtëpia e tij, sikurse që i është caktuar edhe ndalesa e kontaktimit me persona të tjerë dhe se nëse i pandehuri nuk i përmbahet këtij aktvendimi, ndaj tij do të caktohet masa e paraburgimit.
Në aktvendim është thënë se zbatimi i masës do të mbikëqyret nga Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Gjilan, të cilët edhe do të njoftonin gjykatën për cenim të mundshëm të masës nga i pandehuri.
Ndryshe, ky vendim është cilësuar si i pazakonshëm, aq më tepër që i pandehuri dyshohej se tregtonte me droga, ngase siç ishte raportuar ditë më parë te i dyshuari ishte gjetur drogë e llojit kokainë në peshën 220 gramë, që besohet se ka vlerën mbi 20 mijë euro.
Burime nga Prokuroria Themelore në Gjilan bëjnë me dije se ndaj këtij aktvendimi do të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit.
Në lidhje me rastin, ditë më parë në bazë të raportit të Policisë mediumet kishin bërë publike ngjarjen, ku ishte thënë se në dhomën e gjumit të të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar gjashtë paketime substancë narkotike e dyshuar për kokainë në peshë prej 220 gramë, dy peshore elektronike për matjen e substancës, një lugë dhe thikë metali, sikurse edhe gjësende të tjera të dyshimta./Radio Star/