Unazohen për herë të parë në trojet shqiptare Lejlekët e Zi
Dy zogj të vegjël të llojit Lejleku i Zi (Ciconia nigra) prania e të cilëve në trojet shqiptare është identifikuar për herë të parë këtë vit, janë unazuar sot. Këtë janë zogjët e parë të këtij lloji që unazohen në Kosovë, dhe unazimi i tyre është realizuar në folenë e tyre që ndodhet në një lokalitet në Komunën e Kamenicës. Ky aktivitete është realizuar si bashkëpunim në mes të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës dhe Shoqatës së Fotografëve të Jetës së Egër në Kosovë, përkatësisht nga Dr.sc.Qenan Maxhuni nga IKMN dhe Arian Mavriqi e Besnik Jakupi, fotograf të jetës së egër nga Kamenica.
Unazimi i lejlekëve është aktivitet i rëndësishëm sepse në bazë të shifrave (kodeve) që mbajnë unazat konfirmohet që këta janë lejlekë të Kosovës. Unazat e përdorura për këtë aktivitet janë donacion nga Instituti MaxPlanck për Ornitologji i Gjermanisë, me të cilin IKMN ka bashkëpunim në këtë fushë.
Vitin tjetër planifikohet, që këtyre zogjëve t`u vendosen edhe GPS për të përcjëllë lëvizjen dhe shtegëtimin e tyre. Në kuadër të aktivitete tjera Shoqata e Fotografëve të Jetës së Egër në Kosovë, planifikon të bëjë edhe regjistrime me kamerë nga momentet e kthimit të zogjëve në Kosovë nga shtegtimi, rregullimi i qerdhes, çeljen e vezëve e deri tek momenti kur nisen ata për shtegtim.