Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci tha se pandemia ka bërë që të vihet edhe më shumë në pah nevoja për pajisje të teknologjisë informative.
Raiffeisen Bank Kosova ka dhuruar sot 12 tabletë për nxënësit me nevoja të veçanta të shkollës fillore “Selami Hallaçi” në Gjilan. Ky është viti i tretë që Raiffeisen Bank në bashkëpunim me zyrën e UNICEF-it shpërndajnë tabletë për fëmijët në nevojë.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci tha se pandemia ka bërë që të vihet edhe më shumë në pah nevoja për pajisje të teknologjisë informative.
Ajo theksoi se në këtë drejtim ministria që e udhëheq ka pasur përkrahjen e UNICEF-it dhe të partnerëve tjerë, për çka shprehi mirënjohje.
Nagavci theksoi se duhet një angazhim dhe bahskëpunim i të gjithëve në mënyrë që të gjithë fëmijët të kenë qasje dhe mundësi për shkollim.
Nagavci: Kemi pasur përkrahjen e UNICEF dhe partnerëve tjerë në realizimin e mësimit nga distanca
“Në këtë situatë, vitin e kaluar, kur më shumë u mbajt mësimi nga distanca, kemi pasur edhe në këtë drejtim përkrahjen e UNICEF dhe të partnerëve të tjerë në realizimin dhe ofrimin e ndihmës në platforma të ndryshme që na kanë mundësu mësimin nga distanca, por edhe në ofrimin e pajisjeve sidomos për ata që kanë pasur nevojë më shumë për përkrahje. Është shumë e nevojshme që të ndihmojmë edhe në përmirësimin e shkathtësive dhe humbjeve që janë shkaktuar në të nxënë përshkak të pandemisë, ashtu që të ofrohet mundësia e përdorimit të teknologjisë dhe mundësive të shumta që i ofron teknologjia për zhvillimin e nxënësve[…]Uroj që me shëndet të mirë dhe me sukses t’i përdorni pajisjet që po i merrni sot të dashur fëmijë[…]Faleminderit partnerëve tanë dhe pres një bashkëpunim edhe më të shtuar në të ardhmen”, tha ajo.
Shefja e Zyrës së UNICEF-it, Nona Zikerman tha se po adresojnë çështjet sociale në Kosovë, teksa theksoi se me pajisjet teknologjike të dhuruara për fëmijët në nevojë po synojnë që të krijojnë mundësi të barabarta në arsimim.
Zikerman: Pajisjet e dhuruara sot të përdoren për vazhdimin e arsimimit të fëmijëve
“Për ne si UNICEF është me rëndësi që çdo fëmijë të ndjehet i sigurt në ambientet shkollore dhe të ketë të drejtë të barabartë në arsim, sidomos ata që janë në rrezik apo fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët e kanë pasur më të vështirë ndjekjen e mësimit nga distanca. Për këtë arsye jemi të përkushtuar që të ndajmë pajisje të teknologjisë informative, që edhe këta fëmijë të mudn të ndjekin mësimin… Uroj që këto pajisje që po i shpërndajmë sot me përkrahje të Raiffeisen Bank do t’i përdorni që t’ua mundësoni fëmijëve tuaj vazhdimin e arsimimit”, tha ajo.
Drejtori i Raiffeisen Bank, Robert Ryan tha se synojnë që çdo fëmijë në Kosovë të ketë nga një pajisje të teknologjisë informative në mënyrë që të krijohen mundësi të barabarta për të gjithë në vijimin e mësimit ‘online’.
Ryan: Kemi shpërndarë rreth 200 tabletë për fëmijët në nevojë në Gjilan
“Ky është viti i tretë që Raiffeisen Bank në bashkëpunim me zyrën e UNICEF-it shpërndanë tabletë për fëmijët në nevojë. Kemi filluar me Prishitnën, kemi vazhduar me Prizrenin dhe sot jemi në Gjilan. Jam i lumtur që sot do të shpërndajmë rreth 200 tabletë dhe i kemi shpërndarë për fëmijët e shkollave fillore të shkollave të Gjilanit, që vijnë nga familje të ndryshme… E kemi si objektivë që çdo fëmijë në Kosovë ta ketë nga një pajisje të teknologjisë që të mundet të përcjellë mësimin nga shtëpia”, tha ai.
Mirënjohje për donacionin për fëmijët shprehu drejtori i shkollës “Selami Hallaçi”, Florim Maloku, i cili tha se falë këtyre donacioneve janë integruar në shkolla dhe në shoqëri të gjithë fëmijët pa përjashtim.
Maloku: E mira e krejt kësaj është se i kemi integruar të gjithë fëmijët
“Probleme nuk kemi, mësimi po zhvillohet falë institucioneve shtetërore, komunale, por edhe falë organizatave qeveritare dhe joqeveritare të shteteve mike. Një falënderim i posaçëm për UNICEF-in, të cilët vazhdimisht na kanë ndihmu. Jo më larg se para 2 javëve e kemi marrë një ndihmë prej 5 laptopëve për nevoja shkollore dhe shumë të tjera të mos i përmendim. Po ashtu, një falënderim edhe për Raiffeisen Bank, Robert ju faleminderit shumë për këtë ndihmë për këta fëmijë. E mira e krejt kësaj është se këta fëmijë i kemi integruar dhe janë pjesë e veçantë e shoqërisë”, tha Maloku.
Ndërsa ushtruese drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjilanit, Majlinda Hoxha shprehu mirënjohje për UNICEF-in dhe Raiffeisen Bank për gjithë ndihmën dhe përkrahjen e dhënë gjatë kësaj periudhe.
Raiffeisen Bank ka shpërndarë pajisje të teknologjisë informative në komunën e Prishtinës, Prizrenit dhe në Gjilan.