Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu- Raçi, vizitoi Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Gjatë takimit me menaxhmentin, Zejnullahu- Raçi shpalosi planet e saj në detaje, që për synim kanë rritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore për pacientët dhe përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët shëndetësorë.
Ajo u zotua se do t’i trajtojë me prioritet kërkesat e tyre dhe do t’i adresojë me urgjencë, sidomos çështjet që ndërlidhen me mungesën e mjekëve e të infermirerëve.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm Gjilan Dr.Arsim Emini – kishim kënaqësinë të presim në vizitë pune UD Drejtoreshën e SHSKUK-së znj. Pranvera Zejnullahu Raçi.
Drejtoreshen Raçi e informuam me punën, të arriturat dhe sfidat të cilat na presin në të ardhmen.
Në këtë kontekst, Zejnullahu-Raçi shprehu gatishmërinë që të shtyjë përpara kërkesat për pajisje mjekësore, të cilat, sipas menaxhmentit të SPGJ, janë nevojë e kohës- të bindur se me ardhjen e tyre mjekët specialistë do ta kenë mundësinë t’i trajtojnë edhe rastet më komplekse- pa pasur nevojë për referim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Bashkë me Drejtoreshën Raçi bëmë vizitë disa reparteve të spitalit dhe nga bisedat direkte me përgjegjësit e reparteve u bisedua për vështirësitë dhe kërkesat e njësive në spital.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit, Pranvera Zejnullahu- Raçi, ka planifikuar që të mbajë takime me drejtorët e spitaleve në baza mujore, si mundësi për të qenë më afër problemeve dhe me qëllim që t’i shtyjë përpara projektet e planifikuara.