Ish-deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi ka reaguar ashpër përmes një statusi publik, duke kritikuar deputetët e kësaj dhe legjislaturave të kaluara për, siç thotë ajo, mungesën e rezultateve konkrete për Gjilanin dhe Anamoravën.
Në reagimin e saj, Bunjaku-Rexhepi vlerëson se qyteti i Gjilanit ka pasur përfaqësues në Kuvendin e Kosovës, por sipas saj, ata nuk kanë arritur të sjellin projekte apo zhvillim real për qytetarët e kësaj zone.
“Gjilani ka pasur deputetë në Kuvend, por pyetja reale është: çfarë kanë bërë konkretisht deputetët e mazhorancës për këtë qytet?”, ka shkruar ajo.
Sipas ish-deputetes, mungesa e investimeve dhe projekteve me ndikim dëshmon se përfaqësimi politik nuk duhet të matet me numrin e ulëseve në Kuvend, por me rezultatet konkrete në terren.
“Realiteti është i thjeshtë, nuk ka ndryshim konkret, nuk ka projekte me ndikim dhe nuk ka pasur një zë të fuqishëm që e ka mbrojtur interesin e Gjilanit”, thuhet më tej në statusin e saj.
Bunjaku-Rexhepi ka theksuar se mungesa e rezultateve nënkupton mungesë të përfaqësimit të mirëfilltë për qytetarët e Anamoravës.
“Sepse përfaqësimi nuk matet me numër ulësesh, por me rezultate. E kur rezultatet mungojnë, atëherë nuk kemi përfaqësim. Kemi vetëm numra”, përfundon reagimi i saj.
Statusi i saj ka nxitur reagime dhe diskutime në rrjetet sociale, ku qytetarë të shumtë kanë komentuar mbi zhvillimin dhe përfaqësimin politik të Gjilanit ndër vite./Radio Star/

