Kisha kënaqësinë, me ftesë të edukatoreve, ta përsërisja vullnetin dhe këmbënguljen në përkrahje të edukatoreve dhe personelit arsimar fillor, për ta rritur koeficientin e pagës së edukatoreve, arsimtarëve dhe mësimdhënësve të nivelit fillor e të mesëm, bashkë me drejtuesit dhe anëtarët e SBASHK-ut. Jam në një ritëm e melodi të njëjtë të përkrahjes me SBASHK-un dhe do ta vazhdoj mbështetjen për edukatoret e palodhshme, të përkushtuara, energjike, me vullnetin e mirë dhe me plot ide kreative për edukimin e shekullit XXI, si sot këto edukatore që takova.
Insistoj që me rritjen e koeficientit për pagë për edukatorët dhe mësimdhënësit parauniversitarë, jo vetëm se kështu bëhet rritja e të ardhurave mujore të tyre, por sepse në sytë e shoqërisë, kontributi i tyre njihet për edukimin e brezave.
Është mesazh shumë i keq që gradimet financiare të mos përputhen me gradimin në bazë të sistemit të vlerave të mirëfillta. Arsimi duhet të jetë kryeprioritet kombëtar; në arsim duhet të investohet shumë më shumë, si dhe vlera më e lartë për edukatoret të njihet edhe me ligj, në aspektin e gradimit financiar. Takime të tilla, do të mbajmë me të gjithë, pasi e kemi obligim të jemi zë i qytetarëve.